Universitetet hapën dyert edhe në rrethe

11/10/2010 20:05

Viti i ri akademik nisi edhe në uniervistetet dhe filialet në qytete të ndryshme të vendit. Në Kukes, ku ndodhet filiali i Universitetit të Tiranës, janë rregjistruar 600 studentë nga të cilët 230 nisin studimet në vit të parë.

Shtimi i studentëve ka krijuar edhe problemin e ambjenteve të reja për mësim dhe akomodim. Përkohësisht është gjetur zgjidhje përshtatja në klasa të disa ambjenteve në qendrën e kulturës, si dhe në konviktin e shkollës së mesme.

Filiali i Universitetit të Kamzës në Lushnje këtë vit ka nisur mësimin me 270 studentë, nga të cilët 120 në vitin e parë. Drejtuesit e universitetit uruan studentët për vitin e ri akademik, që ka niur sërish me problemin e mungesës së ambjenteve për të zhvilluar mësimin normalisht.

Në universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës ndjekin studimet 1600 studentë për herë të parë. 5 vjet pas hapjes në këtë universitet nisën punen edhe dy degë të reja. Në 6 fakultetet e tij janë 5600 studentë, si dhe 40 programe studimi.

Ceremonia e hapjes është mbajtur nga zëvendësrektori për shkak se rektori Agim Kukeli dha dorëheqjen pak ditë më parë. Ky universitet ka edhe një filial në Peshkopi me 800 studentë dhe që ende nuk ka zgjidhur problemin e ambjenteve.

Liman Varoshi, rektori i Universitetit të Elbasanit, Aleksandër Xhuvani, celi ceremoninë e nisjes së vitit të ri akademik në këtë universitet.

Gjatë dy viteve të fundit, ky universitet ka bërë ndryshime të mëdha nga infrastruktura deri te programet dhe hapjen e degëve të reja. Universiteti Aleksandër Xhuvani ka një program të plotë deri në dhënien e masterave dhe doktoraturave.

Universiteti Ismail Qemali në Vlorë nuk ka zhvilluar ndonjë ceremoni për vitin e ri akademik. Rektori i këtij universiteti thotë se këtë vit janë bërë shumë ndryshime.

Ndërsa unversiteti Fan Noli në Korcë ka pritur këtë vit akademik një numër më të madh studentësh, të cilët do të ndjekin studimet e larta në fakultetet dhe në auditorët e tij. 1400 studentë ulen në auditore për herë të parë, ndërsa në total në Korcë studiojnë 5000 të rinj.

Top Channel