Gjykata, Berisha akuzon Ramën

11/10/2010 19:35

Përgjatë turit të tij në jug të vendit, kryeministri Berisha kritikoi ashpër kryetarin e Partisë Socialiste Rama, për mosvotimin e pr/ligjit për Gjykatën Administrative.

Kryeministri tha se pr/ligji dhe ngritja e gjykatës ishin një ndihmë e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, cka e bën akoma më të rëndë refuzimin e socialistëve për ta votuar.

“Të refuzosh ndihmën bujare dhe të kthesh një ligj të votuar nga Kongresi i vendit mik, nuk ka gjë më të turpshme e absurde. Tregoju zoti rama shqiptarëve përse e bëre këtë. Mashtrove, ja përse. SHBA tani nuk pranojnë të dorëzojnë ndihmën. Por kjo u bë sepse me gjykatën administrative ai nuk vendos dot më 20% për ndërtuesit. Korrigjo veten dhe të votojmë ligjin”, i është drejtuar Berisha Ramës.

Pavarësisht këtyre kritikave, kryeministri e ftoi zotin Rama për ta kaluar bashkarisht pr/ligjin.

Ndërkohë, të hënën paradite, kryrtari i Partisë Socialiste Edi Rama është takuar me zv/ambasadoren e Shteteve të Bashkura në Tiranë, Deborah Jones.

Takimi është zhvilluar në zyrën e Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës, larg kamerave dhe gazetarëve që stacionohen paradite në selinë e Partisë Socialiste.

Burime për Top Channel konfirmojnë se një nga temat kryesore të takimit të zotit Rama me zv.ambasadoren amerikane ka qenë projektligji për Gjykatën Administrative.

Gjatë bashkëbisedmit të fundit me gazetarë, zoti Rama the se njihej qëndrimi parimor i socialistëve ndaj Parlamentit, për të mos votuar asnjë ligj pa bërë më parë transparencën.

Por po ashtu zoti Rama tha se i druhej kontrollit të Gjykatës Administrative nga ekzekutivi dhe se pr/ligji kishte mangësi të vërejtura edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Burime politike shprehen optimiste se një rrugëdalje mund të gjehet dhe pr/ligji që ekziston prej 2 vjetësh, të votohet më në fund për t’i hapur rrugë ngritjes së gjykatës që mendohet se do të mbrojë biznesin nga arbitrariteti i administratës.

Top Channel