Beqja, mblidhet Këshilli i Mandateve

11/10/2010 18:45

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur shqyrtimin e kërkesës së 16 deputetëve demokratë për heqjen e mandatit të deputetit socialist Ilir Beqja.

Në mesditë është konsumuar hapi i parë me mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, i cili kryesohet nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ka në përbërje 5 deputetë të mazhorancës dhe 5 të opozitës.

Sipas njoftimit zyrtar, në mbledhje u lexua kërkesa për heqjen e mandatit të deputetit socialist Ilir Beqja dhe u paraqit dokumentacioni përkatës, mbi të cilin demokratët bazojnë kërkesën e tyre.

Në mbledhje ishte i pranishëm edhe vetë deputeti Beqja, i cili, sipas njoftimit, kërkoi kohë deri të premten për t’u përgatitur, kërkesë që është marrë parasysh, duke vendosur që të premten të jetë dita kur Beqja të flasë para Këshillit të Mandateve.

Hapi tjetër është që ky këshill t’i paraqesë për vendim seancës një raport që deri tani nuk besohet se do të jetë konsensual dhe hapi i fundit do të jetë vendimi që duhet të marrë Gjykata Kushtetuese.

Top Channel