Historia e një qyteti shkruhet dhe memorizohet, përveçse në letra, edhe nëpërmjet artit të fotografisë. Në qytetin e Tiranës, kjo memorie zë fill me fotografinë e vëllezërve Kallfa.

Origjina e tyre është qyteti i lashtë i Gjirokastrës. Më pas, në vitet 30 të shekullit të kaluar, Kallfat vendosen në Kuçovë. Për të ardhur përfundimisht në kryeqytet, kur rrugët e saj digjeshin nga tymi i Luftës së Dytë Botërore. Pëllumb Kallfa, një prej pinjollëve të kësaj familjeje artistësh, kujton:

“Me aparatin e parë që kanë përdorur vëllezërit Kallfa kanë fotografuar fillimisht puset e naftës, bombardimet që janë bërë gjatë luftës në Kuçovë dhe peisazhe të Kosovës”, shprehet Pëllumbi.

Lufta dhe jeta janë aty, në fotot e para të aparateve të vjetër, përdorur me art nga dy vellezërit. Historia e ditës së çlirimit të Tiranës. Më pas festimet. Pastaj jeta e zhurmshme në qytet.

“Me dy aparatë të dy vëllezërit Kallfa në pjesën e çliruar të Tiranës morrën shtëpi me qera dhe filluan ativitetin e parë”, tregon Pëllumbi.

Dy vëllezërit Kallfa fillojnë të ideojnë ndërtimin e një studioje, që nis me çeljen e një dyqani në qendër të Tiranës.

“Nuk ka banor të Tiranës që të mos ketë vajtur të bëjë fotografi në studion Kallfa. Në vitin 1960 për arsye të sistemit, babi kaloi si fotograf në mjekësinë ligjore. Aty filloi të bënte fotografi nga mikrosopi deri tek organet që operoheshin”, thotë Pëllumbi.

Vit pas viti, në studion e tyre, nis të përvijohet kujtesa qytetare. Familja tiranase është aty, para kutisë magjike të këtij aparati. Pas çdo shkrepjeje, në laborator vinte zbardhja e fotos. Me përkushtim, me art. Në ato vite ishin në përdorim negativët prej xhami dhe filmat 16 milimetërsh.

Është koha kur Mehmeti u drejtohet zbulimeve arkeologjike në Shqipëri. Dhe ai fotografon Bukuroshen e Durrësit, Parkun Arkeologjik të Sarandës, vizatimet e famshme në Shpellën e Trenit dhe kështu, lind albumi Shqipëria arkeologjike.

“E gjithë arshiva që ne kemi në shtëpi dhe një pjesë e saj është bërë me këtë aparat dhe më vonë me aparat të tjerë”, shprehet Pëllumbi.

Por historia e këtyre dashnorëve të fotografisë vazhdon. Një prej legjendave të kësaj fotografie, Osmani 95 vjeçar, inspiron dy djemtë e tij dhe vajzën, për të çuar në zenith punën e nisur qysh prej 70 vjetësh.

Top Channel