Në kafene, lokale të ndryshme, pub-e, restorante e kudo ku ofrohet një shërbim i tillë, muzika është bashkëshoqëruese.
Ashtu si çdo artikull tjetër, të shesësh muzikë duhet të paguash. Por në Shqipëri kjo nuk ndodh. Këngët transmetohen kudo dhe autorit të saj nuk i merret as leje dhe nuk i paguhet asnjë lek.
Në përpjekje për të zbatuar të drejtën e autorit, 12 hotele dhe lokale të njohura në Tiranë janë paditur penalisht për shkaktim dëmi nga Agjensia e të Drejtave të Artistit Interpretues dhe Ekzekutues për riprodhim pa të drejtë të veprës së tjetrit. Paditë do të shqyrtohen veç e veç nga 12 gjyqtarë penalistë.
Zyrtarisht sipas Gjykatës së Tiranës palët paditëse janë Agjensia e Administrimit Kolektiv të të Drejtave të Artistit, dhe Agjensia e Administrimit Kolektiv të të Drejtave të Autorit për muzikën dhe Regjistrimet Mekanike, Albautor.
Mes të paditurve janë disa prej hoteleve dhe kafeneve më të njohura në Tiranë si, Hotel Doro, Hotel Diplomat, Hotel Mondial, Hotel Grand, Bar Juna, Ice Caffe, Le Caffe, tek kompleksi Tajvan, Club Regensy, Casino Albania, La Voglia, Club Charls etj.
Sipas nenit 149 të Kodit Penal, riprodhimi tërësisht pa të drejtë dhe pa pëlqimin e autorit të një vepre muzikore artisike përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet.
Deri më tani paditë për të drejtën e autorit kanë qënë civile dhe kërkohej vetëm dëmshpërlim, ndërsa për herë të parë ato po trajtohen edhe si kundravajtje penale.
Top Channel