Grekët: Duam tregun shqiptar të energjisë

10/10/2010 08:10

Kompania më e madhe greke në sektorin energjetik planifikon të shtrihet me degë edhe në Shqipëri.

Situata aspak komode në vendin helen, për shkak të krizës ekonomike dhe masave të forta me taksat, si dhe direktivat e BE-së për liberalizimin e tregut, detyron Korporatën Publike Elektrike (PPC) të Greqisë të ulë aktivitetin në vendin e saj dhe të pozicionohet në Shqipëri dhe në disa vende të rajonit, përmes projekteve të ndryshme, ku kryesore është prodhimi i energjisë. Sikurse e bën të ditur, drejtori i përgjithshëm i PPC-së, Arthouros Zervos, zgjerimi i aktivitetit të kompanisë energjetike jashtë shtetit lidhet me objektivin e uljes së humbjeve të pjesës së saj në tregun vendas.

Referuar portalit shqiptar, “karburant.com”, Zervos ka theksuar se liberalizimi i tregut në Greqi do të thotë që PPC-ja do të zvogëlohet në vendin e saj, për pasojë, mbajtja e ritmeve të larta kërkon zgjerimin në tregje të tjera. PPC-ja është kompania më e madhe greke për prodhimin e energjisë, me menaxhim shtetëror, ku qeveria zotëron 51 për qind të aksioneve.

Duke u ndalur te projektet, drejtori i përgjithshëm i kompanisë nuk dha detaje për planet e Shqipërisë, ndërsa për dy vendet e tjera të rajonit, Bosnjë dhe Kosovë, tha se po përgatiten të ndërmarrin disa hapa të mëdha. “PPC-ja pritet që të fitojë tenderin për ndërtimin e katër hidrocentraleve në Bosnjë, si dhe po kërkon që të mbyllë marrëveshje të ngjashme në Rumani dhe Shqipëri, ndërsa interes paraqet dhe Turqia. Kurse në Kosovë, jemi në garë për termocentralin ‘Kosova e Re’”, tha shefi i korporatës greke.

Po dje, shefi i PPC-ë, në një takim me administratën e shoqërisë, u bëri të ditur punonjësve planin e shkurtimit të aktivitetit dhe zhvendosjen e kapitaleve në rajon, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Deklaratat e Zervos vijnë dy ditë pas planit të bërë publik nga ministri ynë i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, sipas të cilit, për sektorin energjetik duhen ndërmarrë disa reforma që synojnë zgjerimin dhe liberalizimin e tregut. “Nëse sot kemi një situatë të tillë, ku kemi vetëm një operator shpërndarje, absolutisht që ligji nuk na pengon, po do bëjmë të gjitha përpjekjet tona të fusim dhe operatorë të tjerë në mënyrë që të ketë më shumë konkurrencë”, tha ministri Meta.

Megjithatë, burime zyrtare nga Ministria e Ekonomisë dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), lidhur me projektet e ardhshme të kompanisë greke, nuk janë në dijeni të asnjë plani dhe nuk kanë asnjë koment për të bërë. Ajo që dihet me siguri, e konfirmuar për gazetën nga disa burime, është fakti se PPC-ja, prej gjashtë muajsh, po tenton të hapë zyrë përfaqësie në vendin tonë dhe çdo veprim lidhur me këtë objektiv varet nga vullneti i palës shqiptare për të bashkëpunuar.

Kujtojmë se PPC është në negociata me qeverinë shqiptare për ndërtimin e termocentralit 800 megavat me qymyr për prodhimin e energjisë elektrike në zonën e Porto Romanos në Durrës. Të dhënat e fundit paraprake tregojnë se negociatat kanë ngecur dhe se në plan të parë për Shqipërinë mbeten italianët e ENEL, konkurrentët e grekëve për TEC-in. Kompania helene, në bashkëpunim me një kompani gjermane, qëndrojnë në pritje të marrjes së lejes prej dy vitesh. Plani i TEC-it me qymyr konsiston në një vlerë investimi rreth 2 miliardë euro, ku rreth 70 për qind e energjisë së prodhuar do të shitej nga koncorciumi si eksport, ndërsa pjesa e mbetur do t’i ofrohej qeverisë shqiptare me një çmim kostoje.

Duket se tregu energjetik në vend po kthehet sektori më tërheqës për bizneset e huaja, për vetë faktin se qeveria shqiptare u ofron gjithçka, në këmbim të investimeve që ata do të kryejnë. Aktualisht janë duke u ndërtuar mbi 1.2 miliardë euro projekte energjetike në vend, kryesisht hidrocentrale, me kapacitet deri në 250 megavat.

PPC-ja, prej 6 muajsh, po tenton të hapë zyrë në vendin tonë dhe çdo veprim i lidhur me këtë objektiv varet nga vullneti i palës shqiptare.

Top Channel