Fajon: Mos abuzoni me vizat

10/10/2010 16:40

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Brukselin, mundësuar nga “E Diell” në Top Channel raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Tanja Fajon, pasi uroi shqiptarët për kalimin e votimit në PE, kërkoi nga autoritetet shqiptare që të informojnë qytetarët mbi rregullat e lëvizjes së lirë.

“Duhet të informoni qytetarët se cdo të thotë liberalizim, kam frikë që qytetarët mund të përdorin këtë në mënyra të ndryshme dhe kjo do të jetë problem për qeverinë dhe politikën. Qytetarët të kuptojnë se liberalizimi i vizave do të thotë të qendrosh vetëm 3 muaj, nuk të jep të drejtë për punë, azil apo nënshtetësi në të kundërt disa vende mund të rikthejnë regjimin e vizave”, tha zonja Fajon.

Eurodeputetja u shpreh e sigurt se në fillim të muajit nëntor vendet anëtare të BE-së do t’i japin dritën jeshile propozimit të Parlamentit Europian. Sipas saj Shqipëria teknikisht i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se nuk ka arsye që anëtarët të krijojnë probleme.

“Pres që vendet anëtare ta pranojnë në fillim të nëntorit propozimin dhe të japin dritën jeshile. Shqipëria teknikisht i ka arritur të gjitha kriteret. Nuk ka arsye që anëtarët të krijojnë probleme”, deklaroi Fajon.

Pyetjes nëse opozita shqiptare ka qënë pengesë në liberalizimin e vizave për Shqipërinë, eurodeputetja sllovene iu përgjigj se i gjithë procesi ka qënë teknik dhe se nuk e ka ndjerë si pengesë opozitën shqiptare. Gjithësesi, Fajon tha se situata politike në Shqipërinë gjatë gjithë kësaj periudhe nuk ka ndihmuar shumë në procesin e liberalizimit të vizave.

Në fund të fjalës së saj zonja Fajon premtoi një vizitë që do të realizohet së shpejti në Shqipëri.

Top Channel