Berisha:Rama të mos fshihet pas letrave

10/10/2010 15:20

Kryeministri Sali Berisha, i cili po viziton këto ditë jugun e vendit, ka komentuar nga Gjirokastra letrën e para dy javëve të komisionerit për zgjerimin, Stefan Fule. (UPDATE)

Në letër komisioneri Fule ngre shqetësimin se situata akuale politike po pengon reformën elektorale për zgjedhjet lokale të majit të ardhshëm, të cilat, siç thotë komisioneri për zgjerimin, duhet të arrijnë standartet më të larta demokratike.

Për këtë arsye komisioneri Fule inkurajon kryeministrin të kontribuojë në një zgjidhje kompromisi, duke siguruar transparencë dhe respektim të Kushtetutës.

Opozita e interpretoi këtë letër si tregues se kryeministri Berisha është shkaktar i zgjatjes së krizës politike. Por kryeministri Berisha ka një kendvështrim tjetër për çështjen.

“Ata, të cilët përdorin letra, në mendjen e tyre si argumente për të mos u angazhuar në zgjidhjen e problemeve, gabojnë shumë rëndë. Ajo është një letër, e cila fton kompletimin e reformës zgjedhore. Kryetarit të opozitës i është thënë harto çdo amendament që dëshiron për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që të kesh siguritë më maksimale dhe qeveria t’i votojë ato tërësisht, pa asnjë modifikim, me një kusht që të marrë një opinion në Komisionin e Venecias apo nga OSBE/ODHIR. Kryetari i qeverisë i ka ofruar kryetarit të opozitës konsensusin maksimal, total, të paprecedent në historinë e Europës, ku nuk gjendet kurrë një qeveri që t’i thotë opozitës merr shkruaj amendamentet dhe t’i votoj unë. Këtë e bëj se unë udhëhiqem nga respekti për opozitën. Këtë mund ta bëj, po lepurin nga barku, zotit Rama nuk mund t’ia nxjerr, të jem i sinqertë”, deklaroi kryeministri Berisha.

Situata aktuale politike ka lënë pa zgjidhur edhe çështjen tjetër shumë të rëndësishme, Gjykaten Administrative, një projekt që do të financohej nga qeveria amerikane, nëse ligji do të kishte marrë votat e opozitës 10 ditë më parë.

Pas inaugurimit të një ujësjellësi në zonën minoritare të Dropullit, që do të furnizojë me ujë 7 fshatra të zonës, kryeministri Berisha, i cilësoi si pretendime boshe, argumentat e zotit Rama për të mos votuar projektin e qeverisë amerikane.

Gjatë turit të tij në jug të vendit, kryeministri Berisha, duke folur për heqjen e vizave, u shpreh i bindur se shqiptarët jo vetëm do të lëvizin të lirë në vendet e Bashkimit Europian brenda këtij viti, por do të shpërbljenë besimin e vendeve anëtare, duke respektuar afatet kohore për lëvizjen pa viza në zonën Shengen.

Top Channel