Listat, qeveria i heq aksesin pushtetit vendor

09/10/2010 08:25

Alarmi ka ardhur nga përfaqësuesit e pushtetit vendor. Ndonëse duket se palët në vend problemet zgjedhore i trajtojnë kryesisht politikisht, duket se një problem në dukje i vogël teknik mund të jetë edhe burimi i konflikteve të ashpra mes dy forcave kryesore.

Kjo sepse prej 1 janarit të këtij viti, drejtuesit e njësive vendore në vend, siç janë komunat dhe bashkitë, nuk kanë akses të drejtpërdrejtë në numrin e përgjithshëm të zonave që kanë nën administrim.

Asnjë nga drejtuesit e njësive vendore në vend nuk mund të nxjerrë të dhëna të përmbledhura në lidhje me hyrjet, daljet, lindjet dhe vdekjet e popullsisë në atë çfarë ndodh në zonën e tij, sepse ligji për gjendjen civile e pengon këtë.

Ky ligj i miratuar nga mazhoranca pak ditë përpara fillimit të fushatës zgjedhore të vitit të shkuar parashikon në mënyrë të qartë se të dhënat e përmbledhura të njësive vendore jepen vetëm nga ana e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

Në nenin 3 të ligjit të miratuar nga Kuvendi në datën 11 maj të vitit 2009 të dhënat merren vetëm me autorizimin e këtij institucioni që ka varësi të drejtpërdrejtë nga Ministria e Brendshme.

“Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile autorizon dhënien e të dhënave të kërkuara prej institucioneve dhe organeve të ndryshme, në përputhje me përmbledhësen e miratuar prej tij dhe komisionerit të të dhënave personale”, theksohet në ligjin i cili është dekretuar nga Presidenti më 25 maj të vitit të shkuar.

Top Channel