Rama: Më hetoni, s’kam imunitet

08/10/2010 15:20

Një ditë pasi Presidentit i Republikës u shpreh për kufizimin e imunitetit të deputetëve, që duket se edhe është edhe vullnet i mazhorancës, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama bëri të ditur qëndrimin e tij.(UPDATE)

“Kjo është një alibi. Ja ku jam unë, s’kam imunitet, janë rreth 40 kallëzime të bëra në prokurori dhe në gjykatë për të gjitha akuzat që më janë bërë dhe përmes këtyre akuzave dhe padive i kam sfiduar të gjithë akuzuesit t’i provojnë të gjitha akuzat në Prokurori ose në gjykatë. Deri më sot s’ka asgjë të tillë”, tha Rama.

Dy ditë pas deklaratës së ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, që shprehte mirënjohje për përpjekjet që mazhoranca bëri për të miratuar p/ligjin e Gjykatës Admnistrative dhe shprehte keqardhjen që Partia Socialiste nuk dha pëlqimin e saj, kryetari i Partisë Socialiste bënte këtë koment: “Ju siguroj se ne jemi gjithashtu shumë të keqardhur për faktin se e patëm të pamundur të japim pëlqimin tonë në kushtet, kur dihet publikisht qëndrimi ynë që është tërësisht parimor në lidhje me Parlamentin dhe nga ana tjetër për fjalë për një draft i cili nga vetë partnerët është kontestuar në 1/3 e tij e për më tepër në një Shqipëri ku pavarësisht asaj që ligjësohet, ajo që jetësohet ngjan krejt e ndryshme. Kështu që ne nuk jemi aspak të predispozuar që t’i japim Sali Berishës një tjetër gjykatë me të cilën ai të bëjë cfarë të dojë. Pa pikë dyshimi jemi të gatshëm që të japim të gjithë kontributin tonë për t’i cuar të gjitha gjërat përpara, për të zhbllokuar parlamentin përmes hapjes së procesit të transparencës dhe duke kontribuar në përmirësimin e këtij drafti kaq problematik në një draft të pranuar nga të tërë”.

Zoti Rama vlerësoi edhe njëherë miratimin e rezolutës së Parlamentit Europian për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe tha se për këtë meritë ka edhe opozita, që u kërkoi miqve të saj që kriza politike në shqiëpri të mos ndikonte në vendimin e Parlamentit Europian. Sipas zotit Rama, protestat e ardhshme të opozitës nuk do të ndikojnë në vendimin përfundimtar, që pritet të merret në nëntor nga ministrat e punëve të brendshme të Bashkimit Europian.

Top Channel