Pronat e krimit, rrezik tjetërsimi

08/10/2010 19:50

Po si e ka argumentuar në vendimin e saj Gjykata e Krimeve të Rënda kërkesën e prokurorisë për sekuestro ndaj biznesve të Anxhelo Prudentinos në Shqipëri?

Në kopjen e vendimit që TCH disponon, flitet për sekuestro ndaj shoqërise anonime “Bet Plus”, “Casino Italia” dhe “Betting System Albania”.

Prokuoria pretendon se i hetuari për pastrim parash, Anxhelo Prudentino, djali i Albino Prudentinos, zotëron përpiqndje në kapital 45 për qind, ndërsa një shtetas tjetër Francesko Forneli, zotëron edhe ai aksione të njëjta me Prudentinon, kurse Xhuzepe Palma zotëron 10 për qind.

Sipas të njëjtit procesverbal, për shoqërinë anonime “Casino Italia”, e cila ka si objekt administrimin e agjencive per mbledhje e transmetim të dhënash, të lidhura ngushtë me ngjarjet sportive dhe jo sportive dhe administrimin e agjencive për baste, Anxhelo Prudentino zotëron 50 për qind kontribut dhe 50 për qind pjesëmarrje.

Në “Betting System Albania”, e destinuar për prodhim të lëndëve të para dhe prodhim të makinave elektronike të lojrave të fatit, rezulton se për Ervis Gjecaj kanë ndryshuar të dhënat një ditë pas arrestimit të Albino Prudentinos. Nga 20 për qind, aksionet janë bërë 50 për qind, ndërkohë që del se aty është larguar Anxhelo Prudentino.

Gjykata e Krimeve të Rënda thotë se duke qenë se ekziston rreziku real për tjetërsim pasurie në një kohë që të lartpërmendurit janë në hetim, duhet vendosur sekuestro.

Po ashtu, thuhet më poshtë, ky konkluzion mbështetet edhe në të dhënat e verifikuara nga prokuroria, ku rezulton se Anxhelo Prudentino në bashkëpunim me të hetuarin tjetër Ervis Gjecaj erdhën në dijeni të arrestimit të Albino Prudentinos dhe kryen veprimet juridike duke kaluar aksionet tek të tretët e në vazhdim, duke rritur dukshëm vlerën e tyre për të justifikuar pasuritë e diponuara.

Top Channel