Xhafaj: Po, vëllai im është dënuar

07/10/2010 16:20

Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj i akuzuar nga mazhoranca ka pranuar problemet me ligjin qe ka patur vellai i tij 10 vjet me pare.

“Vëllai im i vogël, rreth 10 vjet më parë, atëherë kur ishte rreth të njëzetave, ende adoleshent, emigrant, ka pasur një histori fatkeqe me ligjin. U gjend në vendin e gabuar, në momentin e gabuar dhe në një marrëdhënie rastësore me njerëz të gabuar. Një gabim, një faj për të cilin ai vuajti pasojat ligjore e shpirtërore dhe fatkeqësisht vazhdon ta vuaj ende. Historia e tij vetjake ishte dhe mbetet rekordi negativ i vetëm i tij përballë ligjit, është rasti i vetëm në familjen dhe farefisin tim të gjerë, ishte një fatkeqësi, një dhimbje e madhe për të gjithë ne”, tha Xhafaj.

Duke theksuar gjate fjales se tij ne kuvend se ne ate kohe i pati kerkuar doreheqjen kryeministrit Nano e cila ishte refuzuar, deputeti Xhafaj i leshoi nje sfide te hapur kryeministrit Berisha.

“Sali Berisha nuk mund të gjejë, qoftë edhe një firmë të vetme të hedhur nga unë, në detyrat shtetërore që kam pasur, për shkak të së cilës, të ketë përfituar dhjetë qindarka, një metër katror apo çfarëdolloj të mire tjetër materiale, cilido nga familjarët dhe të afërmit e mi. E risfidoj përsëri sot publikisht Sali Berishën në pushtet, që në rast se gjen qoftë dhe një firmë të tillë, unë dorëzoj mandatin e deputetit dhe largohem përfundimisht nga politika”, tha Xhafaj.

Top Channel