Shqiptari përkëdhel fëmijën, dënohet për pedofili

07/10/2010 08:37

Varfëria nuk i ka mjaftuar familjes së një çobani të konvertuar në murator, emigrant prej shumë vitesh në Itali. Kishte qenë 6 muaj pa punë Nexhip Qepi, dhe vetëm pak kohë më parë ishte punësuar sërish. Por punën e fituar e ka humbur përsëri, bashkë me të, edhe lirinë. Krimi për të cilin akuzohet nga drejtësia italiane është një rast i pangjashëm me rastet e trajtuara deri sot nga Drejtësia Shqiptare. Është akuzuar si baba pedofil, sepse e përkëdheli djalin e tij të vogël te ‘zogu’ dhe i bëri ‘ciu-ciu’. Shumë njerëz qeshin me skena të tilla familjare, por në familjen Qepi kjo ka shkaktar një dramë të paimagjinueshme.

Ngjarja, pas rrëfimit në kopsht

Një baba shqiptar është arrestuar nga policia italiane se ka përkëdhelur djalin e tij të vogël tek organi gjenital. Akuza – një fjalë që babai i varfër nuk ia ka ditur kuptimin: Pedofili. Nexhip Qepi, banues në Reggio Emilia ka rënë në pranga në 3 gusht të këtij viti. Kamerat e vendosura fshehurazi dhe pa një urdhër në banesën e tij, kanë filmuar momentet ‘erotike’. Gjithçka ka nisur pas një bisede në kopsht mes fëmijëve dhe edukatoreve se çfarë bëjnë në shtëpi, kur 5-vjeçari i emigrantit shqiptar ka treguar se ‘babi kur më përkëdhel, më përkëdhel edhe te bibilja dhe më thotë që është zog që bën ‘ciu-ciu’. Atëherë, edukatoret, pa i thënë asgjë qortuese fëmijës dhe pa lajmëruar nënën e tij, kanë shkuar në karabinieri për të bërë denoncimin, për të cilin pastaj prokuroria ndërmori veprimet për sigurimin e provave. Është hera e parë që një prind shqiptar denoncohet për një përkëdheli të tillë të fëmijës, edhe pse skena si kjo që përshkruhet në raportin e gjyqtares Anxhela Baraldi, janë shumë të përhapura në familjet patriarkale në Shqipëri dhe aspak të qortuara moralisht.

Përmbajtja e urdhër-arrestit

Më 21 qershor, në tri orë të ndryshme të ditës, mikrokamerat e vendosura në ambientet e shtëpisë së familjes emigrante, kanë fiksuar tri sekuenca filmike, njëra 5 sekonda, njëra 7 dhe tjera 15 sekonda, ku babai Nexhip Qepi, prek me dorë dhe puth fëmijën e tij në organet gjenitale. Gjyqtarja për ekspertizën paraprake, Anxhela Baraldi, në vlerësimin paraprak është shprehur se ‘personi ka abuzuar me autoritetin e prindit duke detyruar fëmijën e tij të provojë aktin seksual dhe se kryente me të një raport oral’. Mbi këto akuza të ngritura në artikullin 609 ‘Për sjellje kriminale…’, është aplikuar arresti i emigrantit Qepi në 24 gusht 2010. Në të njëjtën kohë, Shërbimi Social i Emilia Romagna në Bolonjë më 2.9.2010, me anë të një dekreti ka kërkuar që të tre fëmijët çiftit Qepi, t’i hiqen nga kujdestaria.

Avokati mbrojtës

Avokati Aldo Pardo më 21 shtator i drejtohet Gjykatës se Reggio Emilia-s, Agjencisë për Shqyrtimin paraprak, Doktoreshës së Associuar, Angela Baraldi, me një letër ku sqaron se kjo sjellje mund të konsiderohet edhe si marrëdhënie mashkull-mashkull, por nuk është në karakterin e popullsisë së vendit të origjinës. Këtë lloj përkëdhelie të fëmijëve, shqiptarët nuk e konsiderojnë dhe nuk e ndiejnë si të tillë. Sipas avokatit Aldo Paldo, banues në Kastelfranko të Venecias, ‘këto sekuenca filmike nuk janë gjë tjetër, veçse një përkëdheli prindërore, e mbështetur edhe në traditën shqiptare, prandaj kërkoj rishikimin e akuzës. Vendosja e telekamerave në ambientet e shtëpisë është shkelje ligji dhe në kundërshtim me konstitucionin italian. Deri në rishqyrtimin e çështjes, z. Nexhip Qepi, t’i jepet masa arrest-shtëpie’.

Top Channel