Eshtë 16 vjec dhe aktualisht do të ishte në klasën e 9-të nëse nuk do ta kishte braktisur shkollën prej moshës 12-vjecare. Pamundësitë ekonomike të familjes e kanë detyruar që fëmijërinë ta kalojë i izoluar.

“Shkollën e kam lënë në klasën e gjashtë sepse nuk kisha mundësi të blija libra. Tani duhej të isha në klasën e nëntë”, shprehet ai. Jashtë vullnetit të tij, 16-vjecari ka sakrifikuar të ardhmen që përmes shkollimit mund të kishte marrë një drejtim tjetër për të e t’i ndryshonte atij jetën. Sot ai bën punë të rëndomta me sa mundet, për të ndihmuar gjendjen e mjerueshme në familjen e tij.

Në shtëpi, bashkë me djaloshin takojmë edhe babain e tij Kujtimin, i cili pa asnjë mundësi punësimi, i kalon orët duke vështruar me keqardhje të birin tek i cili duket se do të trashëgohet edhe fati i keq i papunësisë. “Ne jemi tetë vetë në familje dhe kemi një asistencë 71 mijë lekë”, thekson i ati.  Tre më të vegjëlit e kësaj shtëpie, të paktën kanë fatin që të mund ta frekuentojnë shkollën. Megjithëse Kujtimi tregon që librat ua siguron me para borxh. “Kam edhe tre të tjerë që i dërgoj në shkollë. Por marr para borxh për t’ua siguruar librat”, shton Kujtimi.

Në kushtet e kësaj familjeje ndodhen edhe shumë familje të tjera shqiptare, që përveç nevojave bazë u privojnë fëmijëve të tyre të drejtën për shkrim e këndim. Ne kemi shkuar jo shumë larg, por në një prej shkollave 9-vjecare të kryeqytetit. Psikologia shkollore Oxhenia Hatellari tregon se shumë shpesh, fëmijët u drejtohen dyerve të shkollës pa libra e pajisje të tjera mësimore. “Tani që është fillim viti, dallohen nxënësit pa libra, gjë që nuk varet nga dëshira e tyre. Ndonëse jo të shumtë në numër, ka nxënës që nuk munden të sigurojnë as librat”, pohon ajo.

Edhe pse propaganda flet për skemat subvencionuese që plotësojnë këtë nevojë minimale për dije, e vërteta është e ndryshme në terren dhe gjendja nuk kalon pa lënë gjurmë tek personaiteti i fëmijëve ende në formim. “Duke u përballur që i vogël me problemet ekonomike, tek fëmija krijohet ndjenja  inferioritetit. Por, mund të reagojë edhe me sjellje të papërshtatshme. Asgjë nuk kalon pa lënë gjurmë tek fëmija, sidomos problemet ekonomike. Do të ndikojë në personalitetin e vet, mënyrën sesi shohin të ardhmen”, vijon psikologia.

Sipas teorisë psikoanalitike të Maslou, në hierarkinëe nevojave jetësore bazë, e para vendoset ajo e të ushqyerit, nevoja për veshmbathje dhe siguri fizike. Nëse një i mitur lufton cdo ditë nën kërcënimin e tyre, a mundet ai që të përballojë sfida të tjera jetësore, sic është edukimi? “Varfëria më e madhe nuk qendron tek mungesa e një vakti, por edukata e familjes. Se mund të dalë një fëmijë problematik, por edhe një tjetër që mund të shkëlqejë. Kështu që familja ka të bëjë shumë”, nënvizon ajo. Në rastin e këtij fëmije, tashmë ndjenja e inferioritetit është ndërtuar brenda tij. Ai rrezikon të jetë nesër një qytetar që e sundojnë shumë lehtë. Edhe pse jo shumë i kthjellët për të ardhmen, me naivitein fëmijënor, ai cdo jeton me pyetjen: çdo të bëhet me jetën time?

FOTO GALERI
1/3

Top Channel