FMN, parashikime pesimiste

07/10/2010 16:15

Përkundër optimizmit të qeverisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ekonomia shqiptare do të rritet këtë vit më pak edhe se vitin e kaluar, kur rritja ekonomike ra në nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit.

Në raportin e fundit mbi gjendjen e ekonomisë botërore të publikuar vetëm një ditë më parë, FMN parashikon se rritja ekonomike në Shqipëri do të jetë këtë vit vetëm 2.6 për qind, ose 0.7 pikë përqind më pak se sa një vit më parë.

Kjo rritje është gati dy herë më e ulët nga ajo që vlerëson qeveria shqiptare, e cila publikisht ka projektuar një rritje deri në 5 për qind gjatë këtij viti. Por, ajo që duket më shqetësuese është fakti se ekspertët e  FMN parashikojnë një rimëëkëmbje të ngadaltë të ekonomisë shqiptare pasi vlerëson se edhe vitin e ardhshëm rritja ekonomike do të jetë sërish në nivelet më të ulëta, vetëm 3.2 për qind.

Nëse parashikimet e fondit do të vërtetohen atëherë ekonomia shqiptare e ka humbur zyrtarisht vendin e parë për rritjen ekonomike në rajon. Në fakt sipas vlerësimeve të FMN mesatarja e rritjes ekonomike në rajon për këtë vit do të jetë më e madhe nga rritja e Shqipërisë, ku bien në sy, Turqia me 7.8 për qind, Polonia me 3.4 për qind dhe kosova me 4.6 për qind. përtej debatit politik mbi atë se nëse ekonomia shqiptare hyri apo jo në krizë, të dhënat e FMN tregojnë një gjë të sigurtë. Atë që rritja 6 për qind tashmë është një gjë e së shkuarës dhe se vitet e ardhshme shqiptarët do pasurohen shumë më ngadalë se deri tani.

Top Channel