Maqedonia është përfshirë ditëve të fundit nga një debat i ashpër politik në lidhje me çështjen e ish-spiunëve të shërbimit sekret të epokës komuniste.

Publikimi i fakteve se kryetari aktual i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, Trendafil Ivanovski, ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve të fshehta në të kaluarën, ka ndezur debatin për mënyrën e zbatimit të lustracionit. Pas shqyrtimit të dosjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e anëtarëve të Komisionit për Lustracionin, janë bërë publike për opinionin faktet se Trendafil Ivanovski, i cili aktualisht ushtron postin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, në të kaluarën ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve të fshehta policore.

Nëse këto fakte merren parasysh nga Gjykata Administrative, atëherë Trendafil Ivanovski, sipas ligjit për Lustracionin, duhet të japë dorëheqjen nga posti, sepse personat që kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve të fshehta në të kaluarën, nuk kanë të drejtë të ushtrojnë funksione të larta politike në Maqedoni. Trendafil Ivanovski vlerëson se është i pafajshëm dhe se qeveria e Gruevskit, përmes personalitetit të tij, po hakmerret ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila në disa raste ka abroguar vendime të qeverisë, duke i vlerësuar ato si antikushtetuese.

Gjithnjë sipas Ivanovskit, qeveria ka ndikim dhe bën trysni ndaj anëtarëve të Komisionit për Lustracion. “Unë nuk kam qenë asnjëherë spiun. Lustracioni që është bërë ndaj meje nuk i ngjan një procesi të lustracionit, ai është kastracion, satanizim, njollosje e kredibilitetit tim personal”, deklaroi Trendafil Ivanovski.

Në listën e funksionarëve të dyshuar se në të kaluarën kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve të fshehta përmenden edhe dy deputetë aktualë, por nga Komisioni për Lustracion, identiteti i tyre nuk bëhet publik. Boris Stojmenov është emri i deputetit më të përfolur në mediat vendase se bën pjesë në listën e të dyshuarve për spiun, por ai kategorikisht mohon këtë dyshim. “Emri im nuk figuron në asnjë dokument të Komisionit për Lustracion, dikush po spekulon me emrin tim, unë deri në fund do të mbrohem”, theksoi Boris Stojmenov.

Nënkryetari i Komisionit për Lustracionin, Agim Memeti, thotë se mjerisht kohëve të fundit në opinion po flitet gjerësisht për trysni eventuale politike në punën e anëtarëve të komisionit. “Personalisht, nuk kam pasur asnjëherë asnjë lloj presioni prej askujt, madje habitem se si mund të ketë ndonjë presion ndaj ndonjë anëtari të Komisionit për Lustracionin, mendoj presion politik”, thotë Agim Memeti.

Komisioni për Lustracion ka një mbështetje të plotë të institucioneve, prej nga sigurohen informacionet për të kaluarën e funksionarëve politikë, shprehet Memeti. Meqë një numër i madh i dosjeve të qytetarëve të Maqedonisë gjendet edhe në arkivat e UDB-së në Beograd, ligji për lustracion mundëson që informacione të kërkohen edhe jashtë Maqedonisë.

“Deri sot nuk kemi pasur ndonjë rast, të kemi kërkuar informacion nga paraardhësit e shërbimeve tona të zbulimit, edhe pse ligji e mundëson dhe e lejon një gjë të tillë”, thotë nënkryetari i Komisionit për Lustracion, Agim Memeti. Në Maqedoni janë shpeshtuar zërat për domosdoshmërinë e ndryshimit të ligjit për lustracion, pasi sipas ekspertëve, është e vështirë që ai të zbatohet në praktikë.

Top Channel