Rama: Pushteti sundon popullin

06/10/2010 15:45

Nga Gramshi, ndalesa e radhës e turit të dialogut me bazën, Edi Rama përsëriti akuzat për korrupsion ndaj disa ministrave të qeverisë.

Zoti Rama tha se korrupsioni ka filluar të kërcënojë edhe jetën e qytetarëve. Ky sipas tij ishte rasti i lejes së dhënë për të dënuarin nga Krimet e Rënda që u arratis pas një leje disa orëshe të dhënë për të vizituar familjarët.

“As ministri i Drejtësisë dhe as ministri i Brendshëm nuk japin llogari. Ministri i Brendshëm na tregon se policia është në krye të detyrës, kur zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë është i akuzuar nga një ish-ministër i qeverisë Berisha për korrupsion”, tha Rama.

Sipas zotit Rama, në Shqipëri pushteti po sundon popullin. Ky sundim vjen sepse populli nuk është i lirë të zgjedhë. Dhe kjo situatë, në këtë pikë, mund të ndryshohet vetëm me protesta popullore.

“Ne duhet të rimarrim në dorë fatin e atdheut tone duke rimarrë në dorë votën. Kjo është një arsye e mjaftueshme për të dalë në protesta deri në largimin e qeverisë”, tha Rama.

Tryeza e aleatëve të majtë vendosi që pas këtij turi dialogu me bazën, protestat do të fillojnë më 18 tetor.

Top Channel