Nisin përmbytjet në fshatrat e Nënshkodrës

06/10/2010 19:35

Ujërat e lumit Drin janë të tejmbushura nga hapja e portave të liqenit të Vaut të Dejës.

Ujëmbledhësi i hidrocentralit është shumë afër pikës maksimale dhe kjo ka detyruar KESH-in të hapë portat e emergjencës.

Ujërat kanë vërshuar në tokat e Bërdicës, pranë rrugës nacionale Shkodër-Tiranë, por pa kaluar mbi shtratin e rrugës.

Të mbuluara nga uji janë edhe sipërfaqe toke në komunën Bushat, që ndodhet në anë të lumit, ndërkohë që përmbytje janë verifikuar edhe në Velipojë dhe në Dajç, në vendin e quajtur Ura e De Gjolulit.

“Uji ka ardhur sot paradite, u ngjit gjysmë metri dhe më tepër, por për fat të mirë nuk hyri në banesë”, deklaron një banor.

Ministria e Energjitikës, lëshoi në orët e para të së mërkurës një njoftim urgjent mbi gjëndjen në hidrcoentrale, ku lajmëroi se tashmë kanë filluar shkarkimet përmes portave të emergjencës.

Prurjet në Fierzë kanë arritur në 800 metër kub në sekondë, ndërkohë që niveli i liqenit është 285.1 metër.

Në hidrocentralin e Komanit prurjet janë rreth 1 mijë metër kub në sekondë dhe niveli i ujit ka arritur gati pikën maksimale prej 174.16 metër, vetëm 85 centimetra larg pikës kritike.

Në Vaun e Dejës situata është edhe më shqetësuese. Prurjet në këtë hidrocentral janë 1500 metër kub në sekondë, ndërkohë që niveli i ujit është vetëm 25 centimetër poshtë pikës kritike.

Në këtë hidrocentral, që është edhe i fundit i kaskadës, janë hapur portat e sigurisë dhe po shkarkohet 800 metër kub ujë në sekondë, sipas të dhënave të Ministrisë së Energjitikës.

Edhe pse prurjet atuale në kaskadë janë mbi dy herë më të ulëta se ato të janarit, kur vendi u përball me përmbytje masive, sërish situata në kaskadë po parlajmëron rrezik.

Rreshjet e shiut shkaktuan përmbytje edhe në lindje të qytetit të Shkodrës, në fshatin Bardhaj, i cili u përmbyt nga dalja e lumit Kir.

Dhjetra shtëpi u zhytën deri një metër nën ujë. Vërshimi i një përroi shkatërroi një urë provizore në rrugën Shkodër-Hani Hotit.

Rruga është në ndërtim dhe ujërat morrën edhe një automjet ku ndodheshin dy të rinj që shpëtuan mrekullisht.

Top Channel