Daul: Vizat, siguri 98 përqind

06/10/2010 23:15

Përpara votimit të heqjes së vizave në seancë plenare, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u takua me shefin e së djathtës europiane, Joseph Daul.

Eurodeputeti francez garantoi se 98% e grupit të tij politik do të votojnë pro liberalizimit, por tregoi se Franca ndoshta do të kërkojë garanci shtesë nga të dy vendet.

“Franca nuk mund të bllokojë e vetme, edhe po të dëshironte, ju e dini këtë. Nuk mendoj se Franca po bllokon, ndoshta ajo do të ngrejë ndonjë pyetje për atë çfarë ndodh e që do të pasojë. Mendoj se është më shumë një problem i garancive për shkak të problemeve që ne hasim aktualisht brenda kufijeve të Europes, siç e dini, e ndoshta do t’iu kërkojë garanci shtesë”, tha kreu i grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane në PE, Joseph Daul.

Tch: A garantoni dot qe grupimi juaj do votoje pro ne seance?

Daul: Në shumicë të fortë…, mund t’iu garantoj për 98%, a ju mjafton? 100% siguri nuk është kurrë gjatë një votimi. Sot nuk kishte asnjë lloj pyetje për vizat gjatë mbledhjes se grupit, nuk pati asnjë.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha ky është kurorëzimi i punës së bërë gjatë këtyre muajve, por megjithatë, sipas saj lobimi do të vazhdojë deri në Këshill për liberalizimin e vizave.

“Ka patur shumë mbledhje në komisionin e jashtëm, të sigurisë e të drejtave civile e tek të tjerët. Kemi komunikuar gjatë gjithë këtyre muajve, gjatë gjithë këtij viti dhe unë them që nesër është kurorëzimi. Derisa të arrijë tek Këshilli në nuk mund të ndalemi për asnjë sekondë nga vazhdimi i lobingut duke e garantuar secilin nga vendet e BE-së se ne jemi seriozë’, tha zonja Topalli për Top Channel.

Përveç lobimit për çështjen e vizave, siç u shpreh ajo, kryetarja e Kuvendit ka biseduar gjatë takimit me Daul edhe për marrjen e statusit kandidat të vendit.

Top Channel