Udhëheqësit e Kosovës deklaruan se Prishtina është politikisht e përgatitur që të hyjë në bisedime me Serbinë për çështje teknike të interesit të ndërsjellë, si dy vende të barabarta, por koha e fillimit të tyre duhet të presë përfundimin e zgjedhjeve të përgjithshme.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, njëherësh edhe ushtrues i detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se “do të ishte në interes edhe të politikës, edhe të atyre që duhet t’i mbikëqyrin bisedimet, që ato të zhvillohen kur Kosova t’i ketë institucionet e dala nga zgjedhjet e reja”.

Por kur do të mbahen ato? Zoti Krasniqi tha se javën që vjen mund të përcaktohet data e saktë e tyre. “Data përfundimtare do të vendoset mbi bazën e asaj që e përcakton Kushtetuta. Mandati im është gjashtë muaj dhe brenda këtij afati duhet të kryhen zgjedhjet. Kam kërkuar një informim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që të m’i japë afatet që duhen pas ditës zgjedhore, për të qenë në afatin e zgjedhjes së institucioneve që dalin nga zgjedhjet e lira”, u shpreh zoti Krasniqi.

Një pjesë e partive politike kanë kërkuar fillimisht reforma në sistemin zgjedhor, që në radhë të parë nënkupton përmirësime në ligjin e zgjedhjeve, ndryshimet në të cilin janë kërkuar edhe nga ekspertët e Bashkimit Europian pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Grupi punues për zgjedhjet, në debatet e deritashme ka propozuar pak ndryshime, duke i kushtëzuar edhe nga koha e shkurtër.

Zoti Krasniqi tha se propozimet për ndryshime në ligjin zgjedhor mund të miratohen me procedurë të përshpejtuar. Partitë politike kanë qëndrime të ndryshme sa i përket kohës së zgjedhjeve të parakohshme. Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që ato të ndodhin në muajin mars, drejtuesit e Partisë Demokratike, të cilët fillimisht kishin kërkuar që zgjedhjet të mbahen sivjet, kërkojnë që ato të mbahen në fillim të vitit që vjen.

“Respektoj kërkesat e subjekteve politike, por të gjithë, edhe unë edhe subjektet politike, janë të obliguara ta respektojnë Kushtetutën”, theksoi zoti Krasniqi. Sipas Kushtetutës, kryetari i Parlamentit mund të ushtrojë detyrën e Presidentit të vendit jo më shumë se gjashtë muaj. Mbështetësit e idesë që zgjedhjet të mbahen në fund të janarit apo në fillim të shkurtit, thonë se ato duhet të mbahen të paktën 45 ditë para skadimit të tij, për t’u krijuar hapësirë procesit të numërimit dhe vërtetimit të rezultateve të tyre. Zgjedhjet e parakohshme mbetën zgjidhja e vetme për situatën e krijuar në Kosovë pas dorëheqjes së Presidentit Fatmir Sejdiu, javën e kaluar.

Lidhja Demokratike e Kosovës pret që ushtruesi i detyrës së Presidentit Jakup Krasniqi, të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në muajin mars. LDK-ja i ka kushtëzuar partnerit qeverisës, PDK-së, të mos mbahen zgjedhje gjatë këtij viti. Kjo për shkak se LDK-ja e Fatmir Sejdiut është në procesin e brendshëm zgjedhor për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese dhe kryetarit të ri të partisë. Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Ismet Beqiri, nuk ka dashur t’i komentojë këto, mirëpo ka thënë se LDK-ja është për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në mars të 2011-s, për t’i ikur manipulimeve gjatë votimeve.

Ai nuk është shprehur nëse LDK-ja është kundër një koalicioni të ri me PDK-në pas zgjedhjeve të parakohshme, por ka deklaruar se PDK-ja mbetet partia rivale e LDK-së. Që nga 10 shtatori, LDK-ja ka nisur fushatën e brendshme zgjedhore, ndërsa pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga funksioni i Presidentit, ky i fundit tani po i drejton mbledhjet e kryesisë së partisë. Aktualisht Sejdiun është duke e sfiduar vetëm ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, i cili nga rezidenca e ish-liderit të LDK-së, Ibrahim Rugova, ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së.

Top Channel