Arratisja, 10 të arrestuar

03/10/2010 12:00

Prokuroria e Rrethit të Shkodrës ka prerë 10 fletë-arreste për arratisjen e të dënuarit Admir Tafili. Tetë policë të grupit të shoqërimit, shefi i policisë së burgut të Shënkollit, si edhe mjeku i burgut janë prangosur nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Nga hetimet paraprake të prokurorëve të Shkodrës doli në përfundim se, kishte elemente të mosrespektimit të rregullave për ruajtjen e një ëe burgosuri që kishte përfituar liri disa orëshe për takim me familjen e tij.

Nga hetimet e prokurorisë nuk rezulton të ketë një bashkëpunim apo dhënie ryshfeti, por vetëm humbje të vëmendjes në krye të detyrës si edhe mosrespektim të mënyrës për vëzhgimin dhe ruajtjen e të burgosurit.

Ndërkohë që Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani ka firmosur paraditen e së dielës edhe shkarkimin nga detyra të drejtorit të burgut të Shënkollit, në Lezhë.

Gjatë një komunikimi për shtyp Ministria e Drejtësisë sqaroi se, policia e burgjeve është nën varësi të kësaj ministrie dhe ka fajësuar autoritetet lokale shëndetësore për një lëshim dokumenti i cili çoi edhe në dhënien e lejës për Admir Tafilin.

“Ministria e Drejtësisë sqaron opinionin publik se dy të dënuarit e burgut të Shënkollit në Lezhë, Admir dhe Genci Tafili, janë trajtuar me leje të veçanta sipas parashikimit ligjor. Sipas parashikimit ligjor me rastin e trajtimit me leje për arsye shëndetësore janë autoritetet lokale shëndetësore që lëshojnë dokumentacioni provues. Gjithashtu është detyrë e policisë së burgjeve, strukturë në varësi të Drejtorisë së Policisë së Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë që të sigurojë ruajtjen e veçantë gjatë lejes. Në rastin e vëllezërve Tafili, grupi i shoqërimit nga policia e burgjeve ka neglizhuar rëndë ushtrimin e detyrës përreth banesës së të dënuarit”, tha në një konferencë për shtyp zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Migena Demirxhi.

Policia e Shkodrës e ndihmuar edhe nga forca të specializuara të kërkimit të personave me precedentë kriminalë është duke vazhduar operacionin për gjetjen e 41vjeçarit, Admir Tafili.

Policia ende nuk ka humbur shpresat për gjetjen e tij, edhe pse kërkimi ka nisur të paktën me tre orë vonesë, një kohë kjo mjaft e madhe që i ka dhënë mundësinë, Admir Tafilit t’i largohet shumë shtëpisë së tij. Fillimisht policia ka krehur zonën në afërsi të liqenit dhe me pas ka kryer hetimet për largimin e mundshëm me anë të ndonjë varke.

Tafili mendohet të ketë dalë nga shtëpia e tij rreth orës 12 e 15 minuta të mesditës, ndërsa alarmi për ikjen e tij është dhënë në orën 15, çka i ka dhënë rreth tre orë përparësi në largimin e tij. Edhe për policinë në përqindjen më të madhe Admir Tafili është larguar jashtë kufijve shqiptarë.

Në shtëpinë e Tafilëve në Kiras, përveç vëllait 41 vjeçar ndodhej edhe Genc Tafili i dënuar për vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit, i cili edhe pse me burgim të përjetshëm Genc Tafili nuk është arratisur.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve Admir Tafilit i kishin mbetur dhe nëntë vjet burg nga 25 vjet, që është dënuar për plagosje me qëllime hakmarrjeje të ish-shefit të Malësisë së Madhe, Pjetër Petrushit.

Top Channel