Rinis “Portokalli”

02/10/2010 20:10

“Portokalli” rikthehet në ekran nga kjo e dielë, e riformatuar tërësisht për të përcjellë nëpërmjet humorit realitetin shqiptar.

Me prezantim të Agron Llakajt e Amarda Toskës dhe regji të Altin Bashës, programi këtë sezon ka një strukturë tjetër, me personazhe të reja, përjashtuar ata të politikës.

Përpos karaktereve dhe situatave të jetës së përditshme vendase, “Portokalli” do të jetë edhe një parodi e medias.

“E gjithë skema funksionale e projektit të sivjetshëm së pari merr një emër të ri që quhet ‘Portokalli Channel’ që do të thotë që të gjitha njësitë komike të emisionit janë të ndërthurura si pjesë të një programacioni televiziv. Nëse një programacion televiziv nis me emisionin e mëngjesit ashtu do të nisë edhe skaleta e Portokallisë dhe të numrave të saj. Gradualisht aty zbulohen të gjitha emisionet. Në këtë mënyrë përveçse subjekteve të marra nga realiteti shqiptar, ne kemi edhe një pasqyrim të medias si pjesë e këtij realiteti dhe sigurisht mënyrën se si media përthyen ngjarjet, të vërtetat apo të pavërtetat e shoqërisë shqiptare”, deklaroi Basha.

Një mix i ri rolesh, sigurisht me batuta karakterizuese.

“Portokalli” çdo të dielë në Top Channel, ora 20:45, për të përjetuar me nota humoristike realitetin vendas.

Top Channel