KQZ “nis” zgjedhjet vendore pa opozitën

02/10/2010 08:15

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zyrtarizuar dje hyrjen në fazë përgatitore për zgjedhjet lokale të 8 majit 2011.

Me një vendim të miratuar me 4 vota pro, anëtarësia e këtij institucioni miratoi planin orientues të veprimeve për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2011, i cili përmes një renditjeje kalendarike përcakton detyrat që duhen zgjidhur deri në zhvillimin e procesit elektoral.

“Veprimet që duhet të ndërmarrë KQZ, burojnë nga dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe janë një aplikim i tyre në praktikë. Miratimi i këtij plani veprimesh përbën një dokument bazë për nisjen e veprimtarisë së KQZ-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 21 të Kodit Zgjedhor”, thuhet në relacionin e përgatitur nga administrata e KQZ.

Përmes afateve kohore dhe radhës së punës, plani sanksionon që tani standardin e punës së këtij institucioni duke nisur që nga elementet logjistike e deri tek aktet juridike që rregullojnë marrëdhëniet dhe sjelljen e institucioneve të tjera.

Trajnime, shortet për anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, udhëzime për Policinë e Shtetit e deri te shpërndarja e materialeve zgjedhore, janë disa nga pikat kryesore të cilat KQZ ka përfshirë në axhendën e vet të dhënë me detaje.

Top Channel