Inva Mula, sukses në Tiranë

02/10/2010 19:50

Vëmendja e adhuruesve të operistikës këto ditë duket se është përqëndruar e gjitha tek “Përrallat e Hofmanit” dhe veçanërisht tek sopranoja Inva Mula, që interpreton pas një mungese të gjatë në bashkëpunim me TKOB-në.

Premiera e operas u zhvillua mbrëmjen e së premtes me sukses. Një arritje që mesa duket publiku e priste duke konsideruar kastin e artistëve pjesëmarrës, përpos Mulës mes të tjerësh: tenori Luca Lombardo, Vikena Kamenica dhe Erlind Zeraliu.

Biletat për 1 dhe 3 tetor, data kur interpreton znj. Mula, ishin shitur të gjitha një javë përpara premierës. Në pushimin pas aktit të parë të saj, ne shkuam prapa kuintave për t’u takuar me protagonistët.

“Nuk mund ta imagjinoni dot se sa e emocionuar isha përpara se të hyja në skenë. Të rikthehesh në hapat e rinisë dhe të adoleshëncës, është një emocion shumë i madh. Kisha vetëm dëshirën të isha në nivelin e duhur për t’i kënaqur artëdashësit”, u shpreh Mula.

Për të interpretuar “Përrallat e Hofmanit” që njihet për repertorin e vështirë, u ngjitën në skenë rreth 70 këngëtarë. Një punë në grup, që znj. Mula e ka vënë në dukje me ngulm gjatë këtyre ditëve.

Gjatë pushimit hymë në dhomat e të tjerë artistëve. Një prej të cilave e tenorit Luca Lombardo, që interpreton Hofmanin. Një sekret për të qenë në formë.

“Çokollatë dhe energji”, thotë Lombardo.

Nicolas Cavallier, që intepreton 4 role në këtë vepër, në dyshim për ngjyrën e kravatës, na kërkoi një mendim për zgjedhjen e saj. Sa i përket eksperiencës së tyre të parë në Shqipëri:

“Është një eskperiencë e mrekullueshme, publiku duket shumë i ngrohtë, që pas aries së parë pati duartrokitje. Më duket se po dëfrehen shumë. Pastaj të këndosh me Invën të cilën e njoh prej mëse 15 vjetësh, është gjithmonë një kënaqësi e madhe”, tha Lombardo.

Vikena Kamenica kësaj radhe ishte në një version krejt ndryshe.

“Një ndryshim karakteri total nga gjithë rolet që unë kam bërë deri më sot. Djaloshi që unë interpretoj është i bukur, është i këndshëm, është një rol që mua më falë kënaqësi”, shprehet Kamenica.

Vlerësimet e publikut, që dëgjuam për shfaqjen ishin shumë pozitive. Ndër to zgjodhëm atë të vajzës së pianistes së madhe shqiptare Lola Gjoka.

“Ishte e jashtëzakonsme, Inva është fenomenale”, tha Gjoka.

Shfaqja e ardhshme me protagoniste Inva Mulën është ditën e dielë. Protagonistët e tjerë për “Përrallat e Hofmanit” në datat 5 dhe 7 tetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA