Oketa: Asnjë pakt për ligjin e SHISH

30/09/2010 22:05

Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa ka folur edhe për cështjen e Shërbimit Informativ Shtetëror, lidhur me të cilën ka deklaruar se nuk është në dijeni të ndonjë marrëveshjeje.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Oketa ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit Berisha dhe atë të ambasadorit amerikan John Withers lidhur me këtë cështje.

“SHISH nuk ka asnjë vartësi nga Ministria e Mbrojtjes dhe si ish-ministër nuk di të ketë pasur ndonjë marrëveshje të shkruar. Fakti që kryeministri e deklaron me bindje të plotë, do të thotë se ajo nuk ka ekzistuar. Nuk dua të them se ambasadori Withers gënjen, por në dijeninë time unë nuk di të ketë pasur një marrëveshje të tillë”, ka deklaruar Oketa.

Ai ka nënvizuar se në bazë të rregullave, ngritja dhe hartimi i ligjeve për strukturat e reja duhej bërë në bashkëpunim me NATO-n. Por edhe në këtë drejtim, ish-ministri thotë se nuk ka qenë në dijeni.

“Ishte një vendim që ngritja e strukturave të reja duhet të bëhej në koordinim me strukturat e NATO-s. Por nuk di nëse një gjë e tillë është bërë për SHISH”, ka theksuar Oketa.

Por ai ka konfirmuar deklaratat “shumë të rëndësishme” të ish-ministrit të Jashtëm Ilir Meta, të ambasadorit amerikan Withers dhe të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Rasmussen, kundër propozimeve të qeverisë për ligjin e SHISH.

Top Channel