Kuvend, shtyhet “gjykata”

30/09/2010 20:15

Projektligji për drejtësinë administrative parashikon ngritjen e një gjykate që do të shqyrtojë ankesat ndaj vendimeve të administratës.

Që të miratohej në seancë plenare, pr/ligji kërkonte edhe votat e socialistëve, bashkë me ato të demokratëve. Grupi socialist u shpreh i gatshëm për të votuar pro, në rast se mazhoranca do të merrte parasysh një paketë me dy propozime.

“I pari, pr.ligji për gjykatat administrative, i ndryshuar me kontributin e ekspertëve të PS dhe draftin e propozimeve të partnerëve ndërkombëtare. Jemi të gatshëm të ofrojmë kontributin tonë. Së dyti, është ngritja e komisionit hetimor me firmat e deputetëve të PS, që kërkon hetim të kutive të materialeve zgjedhore, jo për rinumërim apo për kontroll”, deklaroi deputeti Fatmir Xhafaj.

“Është e pafalshme që aleatët tanë më të mëdhenj trokasin në dyert tona për një ligj që na duhet neve të gjithëve, edhe juve, edhe biznesmenëve socialistë. Por mua më duket sikur edhe këtu ju kërkoni 20% të pushtetit. Pse nuk thoni hapur që doni të merrni të gjithë pushtetin?”, u përgjigj demokrati Astrit Patozi.

Pas kësaj, kryetari i grupit socialist Gramoz Ruci i kërkoi mazhorancës të ndryshojë filozofinë e të bërit politikë dhe të ulet me opozitën për gjetjen e një kompromisi.

“Nëse ju nuk uleni për negociata, ne jo vetëm që nuk do të tërhiqemi, por opozita do vijojë me kauzën e saj”, deklaroi Ruci.

Ndërsa Astrit Patozi tha se mazhoranca nuk ka ndër mend ta ndryshojë gjë, sepse 20% nuk është filozofia e mazhorancës.

Pas këtyre fjalive të para të replikës së zotit Patozi, deputetët socialistë lanë sallën. Pas largimit të deputetëve socialistë, seanca u ndërpre për pak minuta.

Me rifillimin e saj, kryeministri Berisha pranoi se për projektligjin ka pasur vërejtje nga misionet që asistojnë Shqipërinë në cështjet ligjore. Por ai u shpreh i gatshëm për kompromis, sipas këndvështrimit të mazhorancës.

“Nëse zotëri i nderuar e ka fjalën për vërejtjet e EURALIUS, ne do t’i pranojmë ato një më një. Ne mbetemi të hapur për negociatat. Jemi gati t’i hapim kutitë që nesër, por ligji parashikon që ato të dërgohen në arkiv dhe të digjen”, tha Berisha.

Pr/ligji për drejtësinë administrative dhe ngritjen e gjykatës është financuar nga qeveria amerikane. Dy ditë përpara seancës, drejtues të USAID-it parlajmëruan humbjen e fondeve në rast se pr/ligji nuk miratohej brenda shtatorit.

Top Channel