Ikën Stërkaj, PD me 67 deputetë

30/09/2010 19:50

Deputeti Paulin Stërkaj ka bërë publik largimin e tij nga Partia Demokratike dhe mazhoranca aktuale qeverisëse dhe rikthimin e tij në opozitë.

Në një intervistë për Top Channel, zoti Stërkaj ka sqaruar të gjitha arsyet që e cuan në këtë vendim të rëndësishëm.

Sipas deputetit, keqqeverisja e kabinetit aktual është pika kryesore që ka ndikuar në maturimin e kësaj levizjeje.

“Për cudi vazhdojnë njerëzit e korruptuar në Malësinë e Madhe dhe në Shkodër. Në Malësinë e Madhe kërkohen 1500 euro për një vend pune, ndërkohë që në Shkodër është mbi 4500. Unë jam një deputet i lirë dhe kjo më duket gjëja më e mirë, që vota ime të mos i shërbejë askujt për të përfituar politikisht”, ka deklaruar Stërkaj.

Një tjetër pikë të cilën zoti Stërkaj e përmend si mjaft të rëndësishme dhe që ka patur ndikim të madh, janë sipas tij edhe faktet e publikuara nga opozita në lidhje me korrupsionin dhe konfliktin e interesit në qeveri.

“Duke parë akuzat e opozitës për korrupsion dhe qëndrimin e qeverisë, nga e cila nuk del asnjë të thotë se, heq dorë nga imuniteti dhe le të hetohem. Por na flasin për 20 për qindsha dhe për lepurin. Po arusha ku është? Këtu ka vend arusha dhe jo lepuri”, ka pohuar Stërkaj.

Si pasojë e kësaj situate, të cilën deputeti i Shkodrës e quan të pakalueshme dhe aspak normale, ai ka vendosur të rikthehet në opozitë, si një vendim natyral në emër të qytetarëve të tij.

“S’ka rëndësi e ardhmja ime politike, por sa të jem në politikë do të bëj më të mirën. Nëse PS mua më pranon, pse të mos jem atje për t’i shërbyer vendit”, ka shtuar Stërkaj.

Me largimin e zotit Stërkaj, Partia Demokratike zbret në 67 deputetë, ndërsa shumica tkurret në 74 vota pa llogaritur ish-ministrin Dritan Prifti, i cili pas largimit nga qeveria është një numër i pasigurtë në shumicën aktuale qeverisëse.

Paulin Stërkaj mandatin e parë e ka siguruar nën siglën e Partisë Socialiste në rrethin e Shkodrës në vitin 2005, më pas në 2007-ën u përjashtua si pasojë e votës së dhënë për zgjedhjen e presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në vitin 2009 zoti Stërkaj u zgjodh në qarkun e Shkodrës, por këtë herë nën siglën e demokratëve.

Top Channel