Humbasim 300 mln USD nga tregtia me jashtë

30/09/2010 08:25

Vijon thellimi i deficitit tregtar edhe në muajin gusht 2010, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të nxitur eksportet.

INSTAT raportoi dje se, deficiti tregtar i këtij muaji është 30,5 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 1.4% krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 15.1% krahasuar me gushtin e 2009-s.

Konkretisht, në muajin gusht u eksportuan 9,7 miliardë lekë mallra, me ulje 27.9% në krahasim me korrikun dhe rritje me 35.9% në krahasim me gushtin 2009.

Ndërsa importet regjistrojnë nivelin e 40,3 miliardë lekë mallra, me ulje 9.4% në krahasim me një muaj më parë dhe rritje 19.5% krahasuar me 2009.

Tregtia me vendet e BE-së është 62.8%. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia.

Me Italinë eksporti është 47.2% dhe importi 26.6%, ndërsa me Greqinë eksporti është 6.5% dhe importi 12.5%.

Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur janë për eksportin Rusia, Sllovenia, Serbia, Zvicra, SHBA etj., dhe për importin Austria, Greqia, Kosova, Turqia etj.

Sakaq, eksporti i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 12%, ndërsa eksporti i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u ul 74.6%.

Importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 19.9%; “Ushqime, pije, duhan” u rrit 8.4%; kurse importi i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u ul 56.3%.

Në Gusht 2010, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 6,8 miliardë lekë, duke zënë 17.1% ndaj totalit të importit.

Top Channel