Biznesi, borxh 630 milionë USD shtetit

30/09/2010 08:15

Detyrimet e papaguara të biznesit në formë gjobash dhe taksash kanë kapur vlerën rekord të rreth 630 milionë dollarëve, ose gati 28 për qind më lartë se dy vjet më parë.

Shifra është bërë publike nga kryetari i Kontrolli të Lartë të Shtetit, Robert Çeku, i cili rekomandoi gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme.

Në krah të Çekut qëndronte ministri i Financave, Ridvan Bode, të pranishëm në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat për raportimin e buxhetit faktik 2009 dhe aktivitetin e KLSH-së.

Të dy krerët më të lartë të financave publike dhe aktivitetit ekonomik rakorduan të dhënat rreth buxhetit, sa u takon shpenzimeve, të ardhurave dhe deficitit buxhetor, kurse anëtarët e Komisionit të Ekonomisë, kryesisht deputetët socialistë, u fokusuan te problematika e borxhit dhe krizës ekonomike.

Për Robert Çekun, situata mbi detyrimet e papaguara nga biznesi për tatimet dhe doganat konsiderohet tepër serioze, që kërkon zgjidhje të fortë.

“Ju sugjerojmë gjetjen e një zgjidhjeje sa më optimale për gjendjen e detyrimeve debitore në fund të vitit 2009 në shumën e rreth 66 miliardë e 146 milionë lekëve (rreth 630 milionë dollarë), vlerë e cila për nga madhësia dhe problematika që mbart është shqetësim tepër serioz për ekonominë dhe vendin”, tha kreu i KLSH-së.

Çeku i rekomandoi ministrit të Financave, por edhe anëtarëve të komisionit, hartimin e një ligji të posaçëm për vjeljen e këtyre detyrimeve, ose identifikimin e tyre, një pjesë e të cilës pothuajse është zhdukur.

Për administratën tatimore, deklarata e kreut të KLSH-së është një ekzagjerim dhe nuk qëndron e vërtetë.

Të kontaktuar nga “Shqip”, zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme thonë se shifra 630 milionë dollarë është e ekzagjeruar. Megjithatë, tatimet nuk japin sqarime më të hollësishme se si qëndron e vërteta pas këtyre shifrave alarmante.

Top Channel