Rama: Kriza, përgjegjësi e Berishës

29/09/2010 15:50

Kryetari Edi Rama vijon takimet në rrethe. Në Progradec dhe Korcë ai shoqërohej nga Gramoz Ruci dhe Pandeli Majko.

Lajtmotiv i fjalës së tij, ishte gjendja ekonomike, sipas tij e rënduar. Zotit Rama e cilësoi këtë produkt të vjedhjes së votës dhe fajësoi qeverinë për korrupsion dhe paaftësi.

“Vetëm në muajin gusht pensionet u rritën 6 mijë lekë, kurse buka, sheqeri, mielli dhe vaji u rritën 10 mijë lekë. Rritja e pensioneve nuk ishte as për të plotësuar nevojat më jetike”, tha Rama.

Në Korcë kryetari Rama, i pyetur për pensionet e ish-ushtarakëve, u shpreh se qëndrimi i Partisë Socialiste është i ndryshëm nga ai i qeverisë. Kjo dhe probleme të grupeve të tjera shoqërore, do të gjejnë zgjidhje, sipas zotit Rama, me ardhjen në pushtet të socialistëve.

Deputeti i qarkut të Korcës, ish-kryeministri Pandeli Majko, u kërkoi socialistëve të dalin në rrugë për të kërkuar largimin e qeverisë.

“Ka ardhur koha që të dalim në rrugë, nuk mund të ketë më negociata te Krokodili për t’u marrë vesh me këtë njeri, nuk ka zgjidhje tjetër vec protestave”, tha Majko.

Partia Socialiste është zotuar ta shndërrojnë muajin tetor në muaj protestash.  

Top Channel