Patozi: Ftojmë PS të votojë ligjin

29/09/2010 18:55

Partia Demokratike ka ftuar atë Socialiste që të votojë nesër në seancën parlamentare ligjin për gjykatën administrative, duke kërkuar që ai të mos ngatërrohet me debatet politike.

Në një deklaratë për shtyp, kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi ka deklaruar se refuzimi për të votuar këtë ligj do të ishte një qëndrim i gabuar ndaj partnerëve amerikanë.

“Ftojmë PS të votojë ligjin për gjykatën administrative. Oferta jonë është e sinqertë dhe e ndërshme. Mos votimi i këtij ligji do ishte gjëja më e papërshtatshme për të treguar mirënjohjen ndaj SHBA”, ka pohuar Patozi.

Ai është shprehur se ligji në fjalë nuk duhet të ngatërrohet me konfliktet politike dhe ka nënvizuar se mazhoranca është e gatshme të pranojë propozimet e opozitës për të.

“Përfituesit e tij nuk mund të vecohen në të majtë dhe të djathtë. Nuk mund t’i ndajmë ata në të PD-së apo të PS-së. Grupi parlamentar demokrat është tërësisht i gatshëm të pranojë dhe të votojë cdo sugjerim të PS për gjykatën administrative. Jemi të bindur se votimi i këtij ligji duhet bërë dhe nuk duhet të ngatërrohet me debatet politike”, ka nënvizuar Patozi.

Ai ka shtuar më tej se ky ligj është i rëndësishëm për klimën e biznesit në vend, forcimin e gjyqësorit dhe për partneritetin strategjik.

Top Channel