Vizat, rrëzohet kushti për Shqipërinë

28/09/2010 12:00

Me 49 vota pro dhe 2 kundër, Komiteti Europarlamentar për Çështjet e Brendshme, Lirisë dhe Sigurisë miratoi raportin e Fajon për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, siç rekomandonte dhe Komisioni Europian.

“Dërguam një sinjal të forte e pozitiv sot ndaj qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnjes, që Bashkimi Europian është gati të heqë kërkesën për të marrë vizë ndaj njerëzeve që do udhëtojnë në zonën Shengen. Të dy vendet i përmbushen kriteret që kërkonte Komisioni Europian, ndaj nuk ka më arsye që të shtyhet ky proces”, deklaroi raportuesja për liberalizimin e vizave në PE, Tanja Fajon.
 
Nga dy ekstremistët që votuan kundër raportit të Fajon, njëri prej tyre, Daniel van der Stoep, kishte propozuar dhe amendamentin shtesë së fundmi ku kërkonte që liberalizimi i vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën të hynte në fuqi vetëm pasi këto dy vende të mos bënin më pjesë si vëzhgues apo anëtarë të Konferencës Islamike. Amendament ky që  mori vetëm votën e propozuesit.
 
Pas votës në komitet, në tetor votimi në seancë plenare e 8 nëntor Këshilli i Bashkimit Europian.
 
“Pres që Parlamenti të japë dritën e gjelbër përfundimtare të martën e ardhshme në sesionin plenar të Brukselit, pres gjithashtu që vendet anëtare të ndjekin rrugën tonë”, tha më tej Fajon.
 
Gjatë pasdites Komiteti miratoi dhe propozimin për liberalizimin e vizave me Tajvanin, bazuar në rekomandimin e Komisionit, megjithëse ky vend nuk njihet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Top Channel