Çmimi i dritave, qeveria sakrifikon KESH-in

28/09/2010 08:40

Nisin negociatat paraprake për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike, ku palët e përfshira në proces po shikojnë gjetjen e marrëveshjes, në mënyrë që të mos dëmtohet konsumatori.

Sikurse është bërë e ditur, OSSH-ja dhe KESH-i kanë aplikuar tek Enti Rregullator i Energjisë Elektrike (ERE) për rritje të tarifave, duke filluar nga viti 2011.

Kërkesat e të dyja shoqërive, njëra private e tjetra shtet, flasin për një rritje të ndjeshme të çmimit, aq sa e bën kilovatin e paguar nga konsumatori në të paktën 13 lekë (pa TVSH).

Të dhënat paraprake brenda kampit energjetik tregojnë se, po shikohet mundësia e gjetjes së marrëveshjes pikërisht te KESH-i.

Një mundësi për të mos lejuar rritjen e çmimeve të dritave shikohet alternativa që KESH-it, jo vetëm mos t’i aprovohet kërkesa, por madje t’i ulet tarifa që aplikon aktualisht.

Lëvizjet e para kanë nisur dhe qeveria po e shikon me përparësi këtë skenar, aq sa duket se ka bindur deri diku OSSH-në.

Burimet zyrtare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare thonë për “Shqip” se lëvizje të tilla dëmtojnë financat e KESH-it dhe nuk i jep mundësi të zhvillojë planin e investimeve dhe vijimin e disa projekteve strategjike që lidhen me sigurinë e digave.

Sipas tyre, ulja e çmimit aktual që OSSH-ja paguan për energjinë e marrë te KESH-i, do të krijojë shtigje për thellim të borxheve, që aktualisht kapin vlerën e të paktën 80 milionë eurove.

Top Channel