LSI Tiranë, Shezai Rrokaj zgjidhet kryetar

27/09/2010 08:25

Kryetar i ri i Lëvizjes Socialiste për Integrim për qytetin e Tiranës është zgjedhur Shezai Rrokaj, aktualisht dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Rezultati për kreun e ri të LSI-së së kryeqytetit ka dalë në orët e vona të natës dhe sipas rezultateve paraprake, zyrtarë të LSI-së bënë të ditur fitoren e profesor Rrokajt, ndërkohë që shifrat pritet të bëhen të ditura sot.

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi dje zgjedhjet e saj për drejtuesit e degës së Tiranës, ku numri i anëtarëve që votuan ishte 60% e numrit total të anëtarësisë në kryeqytet. Kështu, dje nga 7300 anëtarë të LSI-së në të gjithë kryeqytetin, morën pjesë 4288 votues, të cilët votuan në 12 qendra në të gjithë Tiranën. Të dhënat për të gjithë procesin e zhvilluar ditën e djeshme i dha sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.

“Është fakt me rëndësi për anëtarët dhe veprimtarët e LSI-së, por dhe për opinionin publik, të bëj të ditur se në zgjedhjet e sotme kanë marrë pjesë 4288 votues, nga rreth 7300 anëtarë, afërsisht 60% e efektivit të LSI-së për Tiranën”, theksoi Rama. Sipas tij, rezultatet për të gjitha postet ku kandidojnë një sërë përfaqësuesish të LSI-së, do të dalin në ditët në vazhdim, përveç procesit të numërimit të votave për kryetarin e degës së Tiranës, i cili u bë i ditur mbrëmjen e djeshme.

Por, sipas Luan Ramës, ky proces që po çelet në Tiranë do të vazhdojë në të gjithë vendin, në mënyrë që strukturat në bazë të LSI-së të pësojnë një rifreskim përpara zgjedhjeve të ardhshme vendore të 8 majit. “Kjo është vetëm faza e parë, sepse ne do ta vazhdojmë këtë proces në të gjithë Shqipërinë, dhe e gjithë fushata është e fokusuar te riorganizimi tërësor i partisë për të përballuar sfidën e zgjedhjeve të ardhshme lokale”, theksoi sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Po kështu Rama theksoi edhe rëndësinë që kishte fakti se ky proces zhvillohej nëpërmjet parimit “një anëtar-një votë”.

“Ne kërkojmë që të dëshmojmë me këtë rast se vlerat e demokracisë, parimet e shenjta mbi të cilat ndërtohet demokracia dhe që ka në themel votën e lirë të çdo qytetari, janë një institucion shumë i rëndësishëm në LSI”, theksoi sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Lëvizja Socialiste për Integrim, një vit më parë lidhi një marrëveshje me Partinë Demokratike për sa i përket bashkëpunimit të këtyre dy forcave politike në zgjedhjet lokale të 2011-s. Por përfaqësues dhe drejtues të lartë të LSI-së kanë theksuar se në disa qytete të mëdha të vendit, dhe po kështu edhe në disa komuna të rëndësishme, Lëvizja Socialiste për Integrim do të paraqitej me kandidatët e saj.

Nga ana tjetër, edhe PD ka bërë të qartë se ajo do ta vendosë kandidaturën e saj për zgjedhjen e kryebashkiakut të Tiranës, kandidaturë e cila pritet të marrë edhe mbështetjen e LSI-së. Zgjedhjet e ardhshme lokale janë edhe prova e parë e LSI-së përpara elektoratit të saj, pas koalicionit që kjo forcë politike bëri me PD-në e drejtuar nga Kryeministri Berisha. Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, LSI doli në koalicion për zgjedhjet vendore me Partinë Socialiste, koalicion falë të cilit e majta fitoi pjesën më të madhe të bashkive të mëdha të vendit. Ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, LSI doli e pavarur në zgjedhje dhe bëri aleancë paszgjedhore me PD-në.

Top Channel