Rama: Qeveria, kabinet kusarësh

26/09/2010 19:35

Nga Kukësi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i bëri apel mbështetësve të opozitës të ngrihen për të larguar qeverinë aktuale, e cila sipas tij është zhytur në korrupsion, konflikte interesi dhe dështime të njëpasnjëshme.

Zoti Rama e quajti qeverinë si “kabinetin e kusarëve” që sipas tij, pasi vodhi votën, po kërkon të rrëmbejë edhe gjithë Shqipërinë.  

“Pas baltës dhe shpifjeve për opozitën që kërkon llogari në emër të popullit, zhvillohet një veprimtari e përditëshme nga ana e qeverisë që i ngjan përditë e më shumë një veprimtarie kriminale, të cilën ne duhet ta ndalim me çdo çmim edhe kusht këtë qeveri, duke u ngritur në protesta kudo sepse nuk ka rrugë tjetër”, deklaroi Rama.

Rama duke iu referuar akuzave të ndërsjellta në Lëvizjen Socialiste për Integrim ka sulmuar ashpër edhe ish-aleatin, Ilir Meta

“Iliri është bërë si Zhvejgu që thoshte ç’më duhet mua se çfarë them unë”, tha Rama.

Pas dështimit deri në këto momente të negociatave për të gjetur gjuhën e përbashket në zgjidhjen e krizës politike, Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për rifillimin e protestave në të gjithë vendin nën moton “Largohu! Shqipëria kërkon transparencë, drejtësi dhe zhvillim”.

Top Channel