Athinë, nis mësimi në shkollën shqipe

26/09/2010 18:50

Me gjithë vështirësitë dhe mungesat në libra dhe bazë materiale, Shkolla Shqipe në Athinë ka hapur dyert për fëmijët e emigrantëve që dëshirojnë të mësojne gjuhën amtare.                                          

I pranishëm në ceremoninë hapëse të semestrit të parë të këtij viti, ishte ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi, i cili përshëndeti fëmijët dhe prindërit e tyre.

Shkolla Shqipe në Athinë është një iniciativë private e biznesmenit shqiptar, Lorenc Koka, i cili ka mundësuar për të shtatin vit rresht, mësimin e gjuhës shqipe për të gjithë fëmijët shqiptarë që dëshirojnë ta bëjnë këtë, tërësisht falas.

Koka thotë se ka investuar nga të ardhurat e tij personale për të pajisur klasat me mjete didaktike, ndërsa një ndihmë e madhe i është dhënë atij nga Këshilli Pedagogjik i Mësuesve Shqiptarë në Emigracion, nga komuniteti i emigrantëve dhe ambasada shqiptare në Athinë.

Koka i ftoi të gjithë emigrantët që jetojnë në Greqi, t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat shqipe kudo qofshin ato, pasi vetëm në këtë mënyrë do t’iu mundësohet  fëmijëve të mësojnë sakte dhe mirë gjuhën shqipe.

Ndërsa mësuesja Mimoza Hite, thotë se vetëm ajo ka libra në klasë. Mësuese Moza, siç e thërrasin nxënësit, u jep fëmijëve shqiptarë lëndën e gjuhës shqipe.  Ajo sqaron se presin pajisjen me libra dhe baze didaktike së shpejti.

Vetë fëmijët, nëpërmjet mikrofonit të Top Channel, kanë pyetur ambasadorin shqiptar se kur shteti ynë do të krijojë më shumë mundësi që ata të mësojnë gjuhën e prindërve të  tyre.                              

Ambasadori Dervishi, pasi përshëndeti fillimin e mësimit për këtë vit shkollor, u tha fëmijëve se shteti ynë po punon për plotësimin sa më shpejtë të jetë e mundur që edhe ata të kenë e mundësi të pajisen me libra në gjuhën e tyre.

Top Channel