Obama takohet në Nju Jork me Topin

25/09/2010 08:50

Presidenti Bamir Topi u takua të enjten në mbrëmje me numrin një të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama.

Si kryetar i delegacionit shqiptar, Presidenti Bamir Topi së bashku me bashkëshorten e tij morën pjesë në pritjen zyrtare që Presidenti Barak Obama dhe Zonja e Parë e Shtëpisë së Bardhë, Mishel Obama, dhanë në Muzeun e Historisë së Natyrës të Nju Jorkut.

Ndryshe nga një vit më parë, kur i pranishëm në ceremoninë e organizuar nga Presidenti Obama ndodhej Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, këtë herë ftesa për delegacionin shqiptar ka qenë vetëm për Presidentin ose kryetarin e delegacionit shqiptar.

Ndërsa Kosova ka qenë e përfaqësuar në Muzeun e Historisë së Natyrës në Nju Jork nga Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi.

Vizita e Kryeministrit Sali Berisha në Nju Jork zgjati vetëm pesë ditë dhe ishte shumë e vakët në takimet me administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku nga zyrtarët e administratës “Obama”, Kryeministri Berisha u takua vetëm me zv/sekretarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, James Steinberg.

Top Channel