Nishani: Transparenca kufizon abuzimet

25/09/2010 20:50

Duke folur për transparencë të gjyqësorit dhe akses të publikut në gjykata, ministri i Drejtësisë Bujar Nishani shqyrtoi së bashku me një grup juristësh projekt-rregulloren që ka në fokus marrëdhëniet mes gjyqësorit dhe publikut.

“Transparenca do i shërbej asaj që ne flasim çdo ditë që ka të bëjë me aksesin e individit në çdo çështje që është i interesuar dhe këto mekanizma japin garanci për eleminimin e abuzimeve në dëm të shtetit”, është shprehur Nishani.

Në projekt-rregullore përfshihen edhe detaje mbi informacionet që nuk duhet të bëhen publike sikurse ajo çfarë ndodh në një seancë me dyer të mbyllura, të dhëna të dosjes që kanë kaluar për shqyrtim gjyqësor apo të dhënat personale të një shtetasi që është palë në proçes.

Megjithatë çështja e transparencës së gjykatave në vend, ka qenë shpesh referencë debatesh.

Në përfundim të këtij takimi ku ishin të pranishëm edhe kryetarë gjykatash, ministri komentoi edhe vendimin e gjyqtarëve për t’u mbledhur në konferencën zgjedhore të gjyqtarëve në 15 prej nga ku do të dalin anëtarët për vendet vakante në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

“Është tërësisht një çështje që i përket vetë gjyqtarëve edhe mënyrës së funksionimit të tyre të brendshëm”, deklaroi Nishani.

Top Channel