Kasat fiskale, 4 variantet për çmimin

25/09/2010 08:30

Prej dy ditësh, administrata tatimore, me urdhër të ministrit të Financave, po shikon disa variante për zbutjen e çmimit të kasës fiskale vetëm për bizneset që operojnë në tregjet e hapura.

Ditën e djeshme është zhvilluar një mbledhje në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ku pas disa orësh diskutime kanë dalë konkluzionet për sistemin e ri të kasës dhe çmimet e ndryshuara.

Varianti i parë dhe më i mundshmi për t’u realizuar është krijimi i një kase vetëm për bizneset e vogla, duke u qëndruar kushteve kryesore të transmetimit të të dhënave në rrjet.

Kjo lloj kase do t’u përshtatet vetëm tregtarëve të lirë dhe do të shitet me një çmim më të vogël se aktuali.

Varianti i dytë lidhet me kasat e shitura para një viti, të cilat dolën skarco dhe nuk i përputheshin vendimit të qeverisë për transmetimin e të dhënave.

Shumë biznese kanë blerë të tilla kasa, që aktualisht nuk funksionojnë dhe për të mos shpenzuar sërish për një tjetër pajisje, është rënë dakord që të negociohet me shoqëritë e autorizuara për adaptimin e kasës sipas modelit të ri, pa kosto shtesë për biznesin.

Varianti i tretë lidhet me shpenzimin e kryer për pajisjen fiskale, i cili do t’i njihet subjektit në bilancin vjetor, duke reduktuar në një farë mënyre normën e detyrimit tatimor.

Një tjetër variant lidhet me mundësinë e rishikimit të TVSH-së, norma e të cilit është 20 për qind, një përjashtim i kësaj takse te pajisja fiskale e ul automatikisht çmimin.

Megjithatë, tatimet sqarojnë se opsioni më i mundshëm është krijimi i një kase të posaçme vetëm për subjektet e vogla që shesin në tregjet e hapura, ndërsa për të tjerët do të vijohet të aplikohet sistemi i gjobave.

“Tashmë na takon detyra e negocimit me shoqëritë e autorizuara të kasave fiskale, të cilave iu bie barra të krijojnë një kasë të posaçme dhe me çmim më të lirë për bizneset e vogla”, tregojnë për gazetën burime të sigurta në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Top Channel