Kontrabanda e naftës, reagon policia e shtetit

24/09/2010 17:40

Policia e shtetit ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp, në lidhje me akuzat e deputetit socialist Taulant Balla, ndaj zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit Agron Kuliçajt. (UPDATE)

Në deklaratën e saj policia i ka konsideruar këto akuza, presione si edhe përpjekje për dëmtim imazhi, ndaj saj.

“Policia e Shtetit përgënjeshtron akuzat e paraqitura nga z.Taulant Balla ndaj zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit Z.Agron Kuliçaj, si dhe i konsideron ato presione të papranueshme kundër punës së policisë së shtetit në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në deklaratë.

”Qendrimet që synojnë të dëmtojnë imazhin e policisë së shtetit dhe të drejtuesve të saj nuk do të munden të zbehin arritjet domethënëse të policisë së shtetit, nuk do të munden të dobësojnë luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksohet në dokument.

Akuzat e Ballës, erdhën një ditë pasi, ish-ministri i Ekonomisë dhe Privatizimit e akuzoi atë për përfshirje në afera korruptive, gjatë emisionit “Top Story” në Top Channel.

Top Channel