Burri vret gruan dhe veten

24/09/2010 22:15

Burri ka vrarë gruan e tij dhe më pas edhe veten. Një ndër skenat e përsëritura në kryeqytet brenda këtij viti është shfaqur serish në një apartament në Tiranë, në afërsi të zyrave të administratës së Gardës së Republikës.

Policia është njoftuar nga fqinjët, të cilët dëgjuan të shtënat e një arme. Ngjarja ndodhi rreth orës 19 e 20 minuta në Tiranë.

Panajot Proshka ka qëlluar për vdekje në afërsi bashkëshorten e tij Merita dhe më pas ka vrarë edhe veten.

Në momentin që policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka gjetur të shokuar djalin e çiftit Proshka që humbën jetën gjatë një grindje mes tyre.

Policia sqaroi se, gjatë ekspertizës bashkëshortit Panajot 50 vjeç i janë gjetur gjurmë të armës që ka kryer qitjen dhe rrethanat të nxirrnin në përfundim se ai kishte kryer në fillim vrasjen e bashkëshortes se tij 48 vjeçare.

Ndërkohë që sipas dëshmitarëve në pallatin ku jetonin viktimat, u tha se janë dëgjuar zënka me zë të lartë midis dy bashkëshortëve.

Policia ende nuk mund të sqarojë motivet e këtij krimi, ndersa do të mund të zbardhë atë vetëm pas marrjes në pyetje të djalit të dy viktimave, pasi të kalojë gjendjen e shokut në të cilën ndodhet.

Trupat e pajetë të çiftit Proshka janë transportuar nga dhoma e tyre e gjumit në morgun e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Top Channel