“Pronat”, Topalli: Një deputeti iu bllokua vota

23/09/2010 10:30

Partia Socialiste ngriti në seancën e sotme plenare cështjen e votimit dy herë të dekretit të presidentit për ligjin e pronave.

Deputetja Vasilika Hysi në fillim të punimeve të sotshme deklaroi se votimi dy herë i dekretit tregoi se mazhoranca manipulon dhe dhunon votën e lirë.

“Me këtë votim, demokracia dhe parlamentarizmi në Shqipëri janë në rrezik”, tha Hysi. Sipas saj votimi i dytë ishte shkelje e Kushtetutës dhe e rregullores së kuvendit.

Menjëherë pas Hysit reagoi kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli e cila tha se në votimin e dekretit të presidentit nuk ka patur asnjë shkelje, pasi procedura është hapur dy herë, por rezultati është shpallur një herë.

“Eshtë hapur votimi, një deputeti i është bllokuar vota dhe në këto kushte, detyra e kryetarit të parlamentit është mos i mohojë votën askujt. Më kërkesë që kam patur nga grupi parlamentar është pezulluar votimi”, sqaroi Topalli.

Kryetarja ka akuzuar opozitën se ka vënë parlamentarizmin në rrezik, pasi ajo nuk ka qenë në parlament për të diskutuar dhe për të votuar ligjet dhe rregullat.

Top Channel