“Pronat”, Ruci: Të shfuqizohet votimi i dytë

23/09/2010 11:50

Kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruci e konsideroi votimin dy herë të dekretit të presidentit për ligjin e pronave, si shkelje të parlamentarizmit, të rregullores së kuvendit dhe dhunim të votës së deputetëve.

Ruci ka kërkuar mbledhjen e komisionit të rregullores dhe shfuqizimin e votimit të dytë.

“Ne ju kërkojmë që të zbatoni kushtetutën e vendit, pasi nuk mund të bëni dëshmitare, shurdhe dhe të verbër opozitën për aktet tuaja. Zbatoni Kushtetutën që thotë se ‘cdo votim i kryer në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit apo rregulloren e kuvendit është i pavlefshëm'”, tha Ruci.

Sipas Rucit votimi i seancës së një jave më parë u tregoi hapur qytetarëve se mazhoranca arrin që të manipulojë votimin elektronik, në sy të të gjithë opinionit.

“A mund të ketë më votim të lirë, ku të zgjedhurve të këtij vendi u mohohet, u trukohet vota pas urdhërave të dhënë nga krahu i qeverisë? Ne jemi të vendosur për të qenë një barrikadë për të zbatuar ligjet, kushtetutën dhe rregulloret e këtij vendi”, tha Ruci.

Kreu i deputetëve socialistë i bëri apel presidentit që të reagojë si garant i Kushtetutës, kur sheh pikërisht se mazhoranca prej së cilës ai ka dalë, shkel ligjin themeltar të shtetit.

Top Channel