Prifti: Policia e përfshirë në kontrabandën e naftës

23/09/2010 21:50

Ish ministri i METE-s, Dritan Prifti ka hedhur akuza ndaj kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, i cili e shkarkoi nga posti i ministrit, por ai nuk ka kursyer akuzat as për policinë e doganat si dhe individë të lidhur me shtetin e qeverinë. 

Rrëfimin në “Top Story”, Prifti e nisi nga momenti i mbledhjes së kryesisë së LSI-së ku ai nuk u ndodh për shkak të vdekjes së gjyshes së tij.

“Ka vdekur në krahët e mi por unë arrita ta takoja të gjallë. Pasi ndodhi kjo u dërgova një sms 4-5 miqve të mi, mes të cilëve edhe zotit Meta dhe pas 2 minutash marr një sms ku ai më lajmëron se të nesërmen ishte mbledhja e kryesisë për ndryshimet në kabinet. Nuk kishim folur asnjëherë më parë për largimin tim. Ai kërkoi që deri të nesërmen të bisedonim. Une i kërkova ta shtynim mbledhjen për pasdite por nuk mundesha të mos i jepja gjyshes lamtumirën e fundit. Nuk më erdhi mirë sepse ishte një veprim brenda familjes, tepër imoral ku nuk ishte guximi as për ta diskutuar dhe as për të dhënë arsyet”, shprehet Prifti.

Sipas tij, arsyeja e dhënë nga Meta për t’u marrë më shumë me punët e partisë, nuk ka vend, pasi METE është një ministri shumë më e ngarkuar me punë se Ministria e Jashtme.

“Unë në detyrën si ministër minimalisht kaloja 1000-1500 faqe dokumenta në ditë, përvec angazhimeve mediatike, me takime dhe axhendën e ngjeshur. Motivi për të qënë pranë partisë mbase është i drejtë por i pamundur”, shtoi Prifti.

Në vijim ai tha se kohët e fundit, mes tij dhe Metës ka pasur disa fërkime, ku la të kuptohej se kreu i partisë i ka kërkuar favorizime që shkelnin ligjin.

“Mes meje dhe Metës ka pasur një lidhje që herë ka qenë e mirë dhe herë problematike. Kemi pasur përplasje të lehta dhe të forta dhe sigurisht që disa nga këto kanë qënë dhe në periudhat e fundit. Ai është një lloj politikani që bashkëpunëtorët ka qejf t’i ketë servilë ose ushtarë dhe nuk i vlerëson njerëzit e aftë që ka përballë. Në këtë kuptim unë kam pasur një marrëdhënie problematike sepse jo të gjitha porositë dhe kërkesat e tij mund të zbatoheshin duke pasur parasysh ligjin. Mbi të gjitha për mua në këtë detyrë ka qenë ligji sepse një politikani në këtë nivel i kontrollohet cdo firmë. Pavarësisht predispozitës time për të ndihmuar ata që e meritonin ndihmën, në disa raste është e pamundur që ta realizosh. Ka pasur qejfmbetje për shkak të realizimit të porosive apo të kërkesave të caktuara”, vijon ish ministri Prifti.

Ai i ashpërsoi tonet ndaj kryetarit të LSI-së, duke thënë se fuqia e tij po bie cdo vit për shkak të qëndrimeve që mban ndaj atyre që drejton.

“Meta, nga viti 2001 dhe sot është reduktuar në një njeri shumë të vogël dhe e gjithë kjo ka ndodhur për shkak të personalitetit të tij, pasi nuk dëshiron të ketë partnerë por njerëz që urdhëron. Ka një problem marrëdhëniesh njerëzore me miqtë me bashkepunëtorët, me njerëzit brenda partisë dhe qeverisë”, pohoi Prifti.

Ish ministri i METE-s hodhi akuza të hapura edhe ndaj drejtuesve të institucioneve, duke dhënë emra konkretë. Lidhur me arrestimin e ish këshilltarit të tij Belegu, ai akuzoi politikën, duke theksuar se fragmente të caktuara i kanë bërë presion me këtë gjest.

“Rasti i arrestimit të Belegut është një rast i presionit tipik nga fraksione të ndryshme. Ai u arrestua për një aktivitet të tijin privat të vitit 2005. Unë kam bindje të plotë që goditja e tij ishte një paralajmërim për mua nga segmente të caktuara të qeverisë dhe të shtetit. Ai u arrestua padrejtësisht për një cështje të vjetër që prokuroria me turp, pas një muaji e mbylli dhe e deklaroi atë të pafajshëm. Nga analiza ime kam evidentuar një person në këtë mes që quhet Agron Kuliqi, që sot është nendrejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Unë në momente të caktuara kam informuar edhe kryeministrin për kontrabandën e naftës, në të cilën janë përfshire edhe policia e doganat. Bëheshin dokumenta eksporti false dhe ajo shitej ne tregun shqiptar. Kryeministri i ka dhënë porosi ministrit të Financave por edhe sot nuk ka asnjë rezultat”, deklaroi Dritan Prifti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA