Ndërkombëtarët: Jemi të zhgënjyer

23/09/2010 20:15

Faktori ndërkombëtar shprehet se është i zhgënjyer nga fakti që pozita dhe opozita ende nuk kanë arritur një marrëveshje. 

Ambasadori holandez në Tiranë, pas një ceremonie inaugurimi në qytetin e Fierit, i është përgjigjur pyetjeve për integrimin, liberalizimin e vizave dhe situatës politike në vend.

“Ne e kemi bërë të qartë se shpresonim se do të bëhej e mundur që partitë politike të gjenin një marrëveshje mes tyre, e cila është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, që demokracia të funksionojë. Dhe për të funksionuar demokracia duhet të funksionojnë Parlamenti dhe forcat politike të bashkëpunojnë. Kemi thënë se kjo është e rëndësishme edhe për perspektivën europiane. Jemi të zhgënjyer që nuk është arritur kompromis mes opozitës dhe mazhorancës. Por kemi thënë se kjo është një cështje shqiptare që duhet të zgjidhet nga aktorët shqiptarë dhe jo të ndërhyet nga jashtë”, ka deklaruar ambasadori Henk van den Dool.

Ambasadori tha se vendi i tij ka rikonfirmuar perspektivën europiane të Shqipërisë dhe se Holanda ka mbështetur dhe do mbështesë qeverinë për reformat e nevojshme për integrim.

“Dhe pozicioni ynë ka qenë se shumë gjëra janë bërë, por ka ende shumë për të bërë. Në tetor do të prezantohet nga Komsioni në Këshill një raport dhe ne jemi pjesë e Këshillit në këtë proces vendimmarrjeje. Ky vlerësim ka të bëjë me integrimin dhe jo me vizat dhe ne besojmë se do ketë një vlerësim pozitiv në këtë proces. Duhet të presim vlerësimin, në cdo rast aty do diskutohen opinionet e ndryshme në procesin që ka bërë Shqipëria. Por ka ende shumë rruge për të bërë”, ka shtuar Van den Dool.

Përsa i përket vizave, ambasadori deklaroi se shqiptarët duhet të udhëtojnë të lirë në Bashkimin Europian.

Ambasadori ka kujtuar faktin se Shqipëria dhe Bosnja nuk kishin arritur vjet kushtet për liberalizim, ndërsa këtë vit është punuar fort dhe se është Parlamenti Europian dhe më pas Këshilli ai që do diskutojë raportin mbi performancën e Shqipërisë.

Top Channel