Viti i ri akademik, godinat të papërfunduara

22/09/2010 08:00

Godina e Fakultetit të Drejtësisë i është nënshtruar rikonstruksionit prej pothuajse 6 muajsh.

Edhe pse pas tri javësh pritet të nisë viti i ri akademik 2010-2011, punimet në këtë institucion nuk kanë përfunduar ende.
Zv.dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Kristaq Gjyli, sqaroi se godina do të jetë gati në fillim të vitit të ri akademik, madje sipas tij, këtë javë pritet që të finalizohen të gjitha punimet nga firma.

“Ne jemi gati për datën 11 tetor. Firma që ka bërë punimet do e dorëzojë godinën rreth datës 26-27 shtator. Kështu që edhe këtë javë do të ketë punime në fakultet. Është konceptuar pak ndryshe nga ajo që ka qenë më parë. Normalisht kemi marrë një godinë të re që është kinoklubi i Qytetit Studenti, ku dhe aty po zhvillohen punime që do të jenë gati për 2-3 muaj”, tha zv/dekani.

Ai pohoi se gjatë semestrit të dytë do të jenë shumë më të përgatitur për të bërë një mësimdhënie normale.
Fakulteti i Drejtësisë, pavarësisht se do të ketë një godinë të re do ti nevojiten përsëri shtim ambientesh. “Ne kemi edhe studentë të masterit, post graduate, doktoraturë, për të cilat është e nevojshme që të kemi edhe ambiente shtesë, të ndryshme nga ato të paradites”, shtoi Gjyli. Fakulteti i Drejtësisë këtë vit akademik do të presë rreth 600 studentë.

Top Channel