Topi, takim në Nju Jork me Papandreun

22/09/2010 08:35

Presidenti Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, u nis dje drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Topi është në krye të delegacionit dhe shoqërohet në Nju Jork nga drejtori i kabinetit, Dashamir Xhaxhiu, këshilltarja për integrimin, Merita Sheqi dhe shefi i protokollit, Enkes Shundi. Kreu i shtetit do të marrë pjesë në sesionin e 65 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në kuadër të punimeve të kësaj Asambleje, Presidenti i Republikës do të mbajë një fjalim në prani të kryetarëve të shteteve dhe personaliteteve të larta të politikës botërore pjesëmarrëse në sesionin e 65 të AP-së. Po ashtu, kryetari i shtetit do të marrë pjesë në drekën zyrtare të shtruar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, për nder të kryetarëve të delegacioneve, si dhe pritet të zhvillojë takime pune me Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe me Kryeministrin e Republikës së Greqisë, Jorgo Papandreu.

Në mbyllje të debatit të përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OKB-së, sesioni i 65, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, do të marrin pjesë në pritjen zyrtare që Presidenti amerikan, Barak Obama, dhe Zonja e Parë e SHBA-së, Mishel Obama, organizojnë për nder të kryetarëve të delegacioneve pjesëmarrëse në këtë Asamble dhe bashkëshorteve të tyre.

Axhenda e qëndrimit të Presidentit Topi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikon një vizitë në Miçigan, ku do të marrë pjesë në një ceremoni të posaçme në shenjë nderimi në monumentin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe në Monumentin e Nënë Terezës. Gjatë kësaj vizite, Presidenti Topi do të takohet edhe me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve fetare dhe shoqatave shqiptare atje në Miçigan, si dhe do të vizitojë Qendrën Islamike Shqiptare.

Top Channel