Kuvendi, 70 mijë USD për shërbim celulari

22/09/2010 08:10

Zhbllokimi i fondeve të buxhetit, me një vendim të marrë javën e kaluar nga qeveria, i jep mundësi Kuvendit të Shqipërisë të hapë procedurën për të përzgjedhur shoqërinë celulare që do t’i ofrojë shërbimin më të mirë dhe me kosto të ulët.

Njoftimi konfirmohet nga burime zyrtare pranë Kuvendit, por pa dhënë sqarime të hollësishme lidhur me procedurën që do të ndiqet, apo nëse po planifikohet të ndërrohet shoqëria që ia ofron këtë shërbim. Ajo që komunikohet zyrtarisht, është se “shërbimi i telefonatave me celular lidhet vetëm për përdoruesit e Kuvendit”, pa specifikuar nëse procedura e re prek deputetët apo vetëm administratën e Jozefina Topallit.
 
Tenderi ka një vlerë rreth 7 milionë e 245 mijë lekë (pa TVSH), ose në total afro 70 mijë dollarë, ndërsa kohëzgjatja e kontratës do të jetë dyvjeçare.

Javën e kaluar, Këshilli i Ministrave bëri një ndryshim të VKM-së “Për disiplinimin e shpenzimeve buxhetore”, duke përjashtuar Kuvendin e Shqipërisë nga plani i bllokimit të fondeve. Në këtë vendim, Kuvendit i jepet e drejta të vijojë me planin e shpenzimeve dhe hapjen e procedurave të tenderit për disa objekte, ndër të cilat ishte edhe shërbimi për celularët e administratës së Kuvendit.

Në vendim ishin lejuar kryerja e disa shpenzimeve të tjera, si blerja e materialeve elektronike profesionale, blerja e pjesëve të këmbimit për automjete, për materiale elektrike etj. Megjithatë në vendim ka disa paqartësi dhe mungesë transparence sa i takon fondit që i është zhbllokuar Kuvendit dhe lejimi i lidhjes së kontratës për shërbimet celulare. Në njërën pikë thuhet se Kuvendit i lejohet me VKM nënshkrimi i kontratës për shërbimin e internetit, me kohëzgjatje 16 muaj dhe shërbimi celular për administratën e Kuvendit, pa caktuar kohëzgjatjen, ndërsa në tender thuhet 2 vjet.

Në tre vitet e fundit, shpenzimet e kryera nga Kuvendi kanë pasur si objekt restaurimin e zyrave të administratës, sallës ku mblidhen deputetët në komisione e seanca, si dhe nuk kanë munguar shpenzimet për pajisje elektronike, makina etj. Pavarësisht këtij volumi të lartë harxhimesh, shumë pak prej tyre janë bërë transparent, ose janë sqaruar nga Kuvendi, madje edhe në rastet kur bliheshin të njëjtat pajisje dhe shërbime çdo vit.

Top Channel