Hajdutët e tuneleve

22/09/2010 19:45

Dy vjet më parë në kinematë botërore u shfaq filmi “The Bank Job”, i inspiruar nga një ngjarje e vërtetë, e ndodhur në Londër në shtator të vitit 1971. 

Protagonistët janë një bandë hajdutësh, që pasi morën një dyqan me qera ngjitur me një bankë, hapën një tunel, i cili u mundësoi atyre grabitjen nga banka të mëse 3 milionë paundëve.

Ata nuk u arrestuan asnjëherë nga policia vendase. Për shkak të fundit të saj të lumtur për hajdutët, me sa duket kjo grabitje e bujshme e kthyer në një film ka pasuesit e saj edhe në kryeqytetin shqiptar.

E kopjuar apo jo nga skenari i këtij filmi, apo nga ngjarja e vërtetë në kryeqytetin britanik, e njëjta fabul për herë të dytë tentohet të realizohet edhe në Tiranë.

Gazmend Braka, i njohur me nofken “Gaxhai”, por edhe me një nofkë të dytë të vendosur për shkak të përpjekjeve për të lënë burgun si “njeriu i arratisjeve”, tentoi të rifitonte lirinë nëpërmjet një tuneli të hapur nga të njohurit e vet.

Në vitin 2005, në rugën “Mine Peza” në Tiranë, u zbulua një tunel pothuajse gjashtë metra i gjatë, që niste nga dyshemeja e një dyqani.

Dyqani ishte marrë me qera dhe nën maskimin se aty po shiteshin lule, cdo ditë nën të gërmohej për të hyrë brenda burgut 302.

Kjo formulë u konsiderua gjeniale për shkak se dheu i gërmuar transportohej pa rënë në sy me maskimin se ishte dhe lulesh.

Por tuneli u zbulua për shkak të zhurmave dhe policia nuk gjeti në dyqan asnjërin nga autorët, megjithëse nga një gjurmë gishtash më vonë arrestoi një vlonjat.

Sërish Gazmend Braka, një ndër të paktët të dënuar të përjetshëm që është betuar para gjykatës se do të arratiset, në 2002-shin tentoi të arratisej nga burgu nëpërmjet një tuneli, i cili pas gërmimeve disa mujore e nxorri në një qeli tjetër.

Top Channel