Berisha: Shqipëria, hapa para

22/09/2010 22:35

Kryeministri Berisha prezantoi zhvillimet e fundit në vend, nën këndvështrimin e përmbushjes së objektivave të zhvillimit të mijëvjecarit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.(UPDATE)

“Tek qendroja ulur në këtë sallë sot dhe ndiqja punimet e këtij sesioni, vetëtimthi, në mendje më erdhi sesioni i OKB-s i shtatorit të vitit 1992, ku unë ju adresova kësaj salle si përfaqësuesi i Shqipërisë, asokohe, njëri ndër 3-4 vendet më të varfëra të planetit me 204 dollarë të ardhura për frymë. Ndërsa sot i adresohem kësaj audience të nderuar si kryeministër i një vendi që tani së fundmi ka kaluar në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Nga vendi më i hyperkolektivizuar, në vendin ku sot 80% e GDP-se gjenerohet nga sektori privat. Gjatë dhjetë viteve të fundit, Shqiperia ka reduktuar nga 25 në 12 % varferinë dhe nga 4.2 në 1.3 % varfërinë ekstreme. Vetëm në 4 vitet e fundit, Shqipëria ka rritur me mbi 40% shpenzimet për shëndetësinë, me mbi 60% shpenzimet për arsimin, me rreth 80% mbrojtjen sociale. Kemi kënaqësinë të theksojmë se mbi 90% e nxënësve që kane mbaruar shkollën 9 vjeçare hyjnë në shkollat e mesme. 70 përqind e të rinjve dhe të rejave që mbaruan shkollën e mesme kanë hyrë në universitet. Në 4 vite, numri i studentëve është trefishuar dhe në të gjitha shkollat e vendit është shtrirë interneti. Jetëgjatësia e shqiptarëve ka arritur tashmë në 77.9 vjet ndërsa vdekja maternale është disa herë më e ulët se në disa ndër vendet më të zhvilluara. Ulje drastike ka patur edhe vdekshmëria foshnjore, e cila ende nuk është në nivelin ku duhet të jetë. Vaksinimi i fëmijve është në nivelet më të larta në botë. Mbrojtja e mjedisit ka njohur progres thelbësor. Ekonomia e vendit, megjithë krizën e madhe botërore, financiare ja doli të ketë një rritje prej 3.5 %, vitin e kaluar. Eksportet këtë vit kanë njohur një rritje prej 62%. Të ardhurat buxhetore këtë vit janë rritur me 13 % krahasuar me vitin e kaluar. Shqipëria është vendi që 98% të energjisë e ka të rinovueshme. Në tërësi, rritja ekonomike gjatë këtij viti pritet të jetë 4-5%. Shqipëria ka krijuar një mjedis miqësor për biznesin e investimet, ka firmosur dy vitet e fundit mbi 6 miliardë euro investime e konçesione. Këtë vit priti 3.5 milionë turistë. Transformime rrënjësore pozitive janë bërë në infrastrukturën e vendit, rrugën, furnizimin me ujë, energji, telekom, shërbimin shëndetësor. Ajo sot është anëtare e NATO-s dhe ecën e sigurt në proçesin e integrimit në BE”, tha kryeministri Berisha.

Objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit janë fiksuar në samitin e Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit 2000. Objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit shprehin synime të qarta dhe me afate të përcaktuar kohorë për të arritur një përmirësim të shpejtë dhe të matshëm në nivel global të zhdukjes së varfërisë ekstreme dhe urisë, kryerjes universale të arsimit fillor, nxitjes së barazisë gjinore dhe fuqizimit të rolit të gruas, zvogëlimit të vdekshmërisë foshnjore, etj.

Top Channel